Çfarë mund të nënkuptojnë në të vërtetë emoji-t në mesazhet e fëmijëve tuaj?

Të rinjtë mund të përdorin ikona si një lloj kodi për përdorimin e drogës dhe seksin, është paralajmërimi i zyrtarëve të policisë për prindërit në fushatën e re për ta luftuar krimin te të rinjtë.

Policia ka nisur një fushatë duke i paralajmëruar prindërit dhe mësuesit për një “botë sekrete të emoji-ve” të përdorura nga adoleshentët që ka si referencë drogën dhe seksin.

Policia e Surrey në Britani të Madhe ka thënë se të rinjtë po përdorin ikona për t’i maskuar bisedat me tekst rreth temave tabu nga prindërit dhe kujdestarët e tyre.

Ata sugjeruan gjithashtu se tregtarët mund ta përdorin taktikën për t’i inkurajuar adoleshentët që ose të marrin drogë, të bëhen ndërmjetës ose të merren vetë me drogë.

Zyrtarët policorë u bënë thirrje prindërve që të ndërgjegjësohen për emoji-t dhe ndanë grafika të ikonave të përdorura zakonisht në faqet e mediave sociale për t’i inkurajuar të rriturit që ta supozojnë kuptimin e tyre të fshehur.

Policia zbuloi se ishin gjithsej 14 ikona që mund ta përfaqësojnë kanabisin, duke përfshirë një tërfil me katër gjethe, emoji me gjethe, një limon, një tufë rrushi, një shalqi, një luleshtrydhe, qershi, një ananas, një qen, një ëmbëlsirë, një tortë, një akullore ose një biskotë.

Kokaina përfaqësohet nga ikona e hundës, një peshk, një pompë benzine, një burrë dëbore ose një flok dëbore, ndërsa ekstazia përshkruhet duke përdorur një ikonë djalli, një kafkë, një jashtëtokësor ose një përbindësh me tentakula.

Ketamina dhe oksidi i azotit, i njohur zakonisht si gaz i qeshur, përfaqësohet duke përdorur përkatësisht ikonat e kalit dhe balonës.

Policia e Surrey zbuloi gjithashtu se të rinjtë mund të përdorin emoji për ta bërë dallimin midis metodave të ndryshme të marrjes së drogës, si p.sh. ikona e pilulës që përdoret për ta përfaqësuar marrjen e lëndëve narkotike ndërsa një shiringë mund të simbolizojë injektimin e tyre.

Nivelet e pastërtisë thuhet gjithashtu se nënkuptohen duke përdorur grafika të ndryshme, me shkallën e shprehur duke përdorur emoji-n e grushtit, një raketë, rrufe, shpërthim, zjarr dhe bombë.

Vetë tregtarët e drogës përfaqësohen nga emoji me tetë topa, ikona e syve ose një prizë.

Lista nuk është e kufizuar në përdorimin e drogës. Sekstingu (veprimi ose praktika e dërgimit të fotografive ose mesazheve seksualisht eksplicite nëpërmjet telefonit celular) maskohet përmes emoji-ve, të tilla si qershitë, spërkatjet e ujit, patëllxhani dhe pjeshka.

Prindërve u bëhet apel që të mos i përgjojnë telefonat e fëmijëve

Policia e Surrey paralajmëroi se megjithëse prindërit kanë të drejtë të shqetësohen nëse i dallojnë këto emoji në telefonin e fëmijës së tyre, ikonat mund të mos e identifikojnë domosdoshmërisht të riun që është i përfshirë në sjellje të paligjshme.

Zyrtarët policorë theksuan se nuk po u sugjerojnë prindërve t’i kontrollojnë telefonat e fëmijëve të tyre pasi kjo mund të çojë në një prishje të mirëbesimit të ndërsjellë ndërmjet prindërve dhe fëmijëve./Telegraph.co.uk