Brazili i vë gjobë dy milionë dollarëshe kompanisë Apple

Mbikëqyrësi brazilian i konsumatorëve e ka gjobitur kompaninë Apple me dy milion dollarë për shkak të mospërfshirjes së karikuesit në serinë e sapolansuar në treg të iPhone 12, duke akuzuar gjigantin e teknologjisë për pretendime të përfshira në reklama mashtruese, shitjen e një pajisjeje pa karikuesin dhe për kushte jo të barabarta, njofton Bussines Insider.

Në tetor të vitit të kaluar kompania Apple njoftoi se iPhone 12 nuk do të vinte me karikues ose kufje në kutitë e tyre, duke i përmendur si arsye shqetësime mjedisore. IPhone-ët e rinj vijnë vetëm me një kabllo USB-C Lightning.

Rregullatori brazilian i mbrojtjes së konsumatorit Procon-SP tani ka gjobitur Apple përmos përfshirjen e karikuesit si pjesë e pajisjes së plotë.

Në nëntor, agjencia tha se prodhuesi i iPhone “nuk demonstroi përfitim mjedisor”, raporton 9to5 Mac.

Sipas Procon-SP, problemet me “reklamimin mashtrues pasi konsumatorët e iPhone 11 Pro raportuan se Apple nuk i riparoi telefonët e tyre pas problemeve me ujin”.

Agjencia në fjalë përmendi po ashtu “problemet e azhurnimit të iOS” dhe “kushtet e pabarabarta” si çështje të tjera pasi “Apple e përjashton veten nga të gjitha garancitë ligjore dhe ato implicite dhe kundër defekteve të fshehura ose të pavërejtshme”.

“Apple duhet të kuptojë që në Brazil ekzistojnë ligje dhe institucione të forta për mbrojtjen e konsumatorit. Ajo duhet t’i respektojë këto ligje dhe këto institucione”, u citua të thoshte Drejtori Ekzekutiv i Procon-SP, Fernando Capez.

Pritet që Apple të komentojë lidhur me akuzat e bëra nga Procon-SP.

Ndërsa iPhone 12 mini kushton 729 dollarë në SHBA, në Brazil i njëjti telefon është rreth 1,200 dollarë.

Apple prezantoi serinë iPhone 12 në tetor të vitit të kaluar dhe njoftoi se telefoni do të vije me vetëm një kabllo karikimi brenda kutisë, pa një përshtatës të energjisë dhe kufje.

Sipas kompanisë, ajo do të zvogëlojë dy milion tonë metrikë të karbonit, e cila është e barabartë me largimin e 450,000 makinave brenda një viti.

 

Përkthyer nga: Nuhi Shala