Përurohet pajisja 1.5 milionëshe në QKUK, por ende s’është gati për përdorim

Pajisja 1.5 milionëshe SPET/CT/PET e cila bën zbulimin e diagnostikimin e kancerit e shumë sëmundjeve të tjera u përurua sot më 26.04.2024, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Megjithatë, pacientët kosovarë do të duhet të presin edhe një kohë që të mund të marrin shërbime nga ky skaner, e cila është donacion i shoqatës “Alwaleed Philantrophies” nga Arabia Saudite përmes organizatës Jahjaga Foundantion, e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo për shkak se për të filluar punën, Shërbimi i Mjekësisë Bërthamore, ku është vendosur aparatura duhet të sigurojë edhe materialin shpenzues, të trajnojë stafin për ta përdorur atë dhe të marrë licencimin e objektit nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.

300 deri në 400 pacientë që kanë pasur nevojë për shërbime nga kjo pajisje, gjatë vitit të kaluar i kanë marrë ato jashtë vendit apo në sektorin privat përmes trajtimit jashtë institucioneve shëndetësore publike në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia tha se çdo skanim që bën kjo pajisje jep shpresë në detektim të hershëm e trajtim adekuat.

“Rilindje për sektorin shëndetësor dhe rikthim i dinjitetit të pacientëve dhe familjeve të tyre” – kështu u cilësua furnizimi me këtë pajisje nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ishte nikoqire e këtij organizimi.

Drejtori i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu tha se përveç kancerit, përmes SPET/CT/PET do të mund të bëhet edhe diagnostikimi i sëmundjeve të trurit si epilepsia, demenca, alzheimer e sëmundje të tjera inflamatore.

“Është një aparaturë e sofistikuar, e cila është instaluar për herë të parë në regjionin e Ballkanit dhe do të përdoret për diagnostikim e hershëm të të gjitha proceseve malinje që kërkohen nga klinicistët tanë” – tha Spahiu.

E drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi tha se kjo pajisje kompleton gamën diagnostike të mjekësisë bërthamore.

“Gati ia qetë pikën e fundit dhe do t’i hyjë në punë qytetarëve” – tha Azizi.

Kur do të fillojë përdorimi i pajisjes?

Ndonëse shiriti u pre sot, e pajisja ka arritur në QKUK në shkurt, ajo nuk është ende gati për përdorim.

Drejtori Spahiu tha se presin që gjithçka të jetë gati në fund të majit 2024, e ministri Vitia tha që “t’ia shtojë edhe një javë a dy.”

“Procedura do të fillojë po shpresoj shumë shpejt, vetëm me sigurimin e materialit radioaktiv i cili do të bëhet gjatë muajit maj se procedura është nis ma herët. Pa material PET CT s’mund ta realizojmë mirëpo SPET CT mundemi” – tha ai.

E përveç furnizimit me material përmes tenderit, duhet të bëhet edhe licencimi i objektit nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore dhe trajnimi i stafit që të dijë ta përdorë atë.

Duke mos dhënë një datë të saktë, Spahiu tha se këto do të bëhen shumë shpejt.

Krerët e institucioneve shprehën mirënjohjen e tyre për stafin shëndetësor, Jahjaga Foundation dhe shoqatën që dhuroi skanerin, “Alwaleed Philantrophies.”

Princesha, Lamia bind Majid Al Saud nga kjo shoqatë tha se ky është njëri prej donacioneve më të përzemërta dhe u shpreh falënderuese për mirëpritjen.