Djemtë e ngujuar në shpellë, Foto: BBC/Getty Images

Shpëtohet i gjithë ekipi i ngujuar në një shpellë në Tajlandë

Zhytësit kanë shpëtuar 13 personat që kishin qëndruar të ngujuar për 17 ditë në një shpellë në Tajlandë që ishte përmbytur nga shiu, raporton BBC.

Gjendja e 12 djemve dhe trajnerit të tyre të futbollit, dhe misioni për t’i shpëtuar, morën vëmendjen e botës.

Katër djem dhe trajneri u nxorën të martën në mbrëmje për të përfunduar misionin e shpëtimit, thanë zhytësit tajlandezë.

Ekipi i futbollit së bashku me trajnerin e tyre kishin hyrë brenda shpellës më 23 qershor dhe më pas shirat e dendur kishin shkaktuar përmbytje.

Pasi ata u gjetën nga zhytësit javën e kaluar, të mbledhur së bashku në errësirë në një parvaz dhe të privuar nga bota e jashtme, filloi gara për t’i nxjerrë ata para se moti të përkeqësohej më tej.

Tetë djemtë e parë që u shpëtuan, të dielën dhe të hënën, janë ende në spital, por thuhet se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe mendore.

Ata i janë nënshtruar analizave të ndryshme dhe do të mbeten nën vëzhgim në spital për të paktën shtatë ditë.

Duke konfirmuar përfundimin e operacionit të shpëtimit, faqja e Marinës së Tajlandës në Facebook njoftoi: “Të gjithë 12 anëtarët e ekipit dhe trajneri janë nxjerrë nga shpella, të gjitha janë të sigurtë”.

Emri i ekipit të futbollit është Boars Wild.