Shtohen Kërkesat për Ujë- Pikat e Larta Kanë Mungesë të Tij

Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” njofton se niveli i ujit nëpër liqene po bie për shkak të shtimit të kërkesave.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Arieta Mjeku-Azizi bën të ditur se niveli i Ujit në Batllavë ka rënë 1 metër nën maksimalen, ndërsa në Badovc 66 centimetra nën nivelin maksimal.

Ajo njofton se kapacitetet e Ujësjellësit janë duke punuar në maksimum për ta mbajtur këtë temp furnizimi.

“Kemi premtuar që këtë tempo të furnizimit me ujë të pijshëm do të tentojmë ta mbajmë deri më 1 korrik 2015, por premtimi po vazhdon ende, pasi që jemi duke punuar me kapacitete maksimale, rreth 850 l/s nga Fabrika e Albanikut-Batllavës dhe 400 l/s nga Fabrika e Badocit,” thuhet në njoftimin dërguar medieve nga Mjeku-Azizi.

Në njoftim tregohet se ka keqpërdorime të ujit të cilat po shkaktojnë që tri ditë mungesë të tij në pikat e larta që ndodhen mbi nivelin e rezervuarëve.

Për këtë arsye Ujësjellësi paralajmëron orar të ri furnizimi që sasia e ujit në dispozicion të ndahet në mënyrë të barabartë.

“KUR”Prishtina”sh.a. i njofton të gjithë konsumatorët se brenda 3-4 dite do fillojë me orar të ri të furnizimit me ujë në të gjitha zonat e menaxhimit, vetëm e vetëm që shpërndarja e ujit të bëhet në mënyrë të barabartë për secilin konsumatorë,” thuhet në njoftim.

Ujësjellësi apelon që konsumatorët ta paguajnë ujin e shpenzuar, të mos lajnë makinat e trotuaret me ujë të pijshëm, të mos e përdorin këtë ujë për punë ndërtimtarie, të mos ujisin çdo ditë lulet dhe të mos lejojnë rrjedhjen e panevojshme nga rubinetet.

Në fund të marsit për shkak të reshjeve niveli i ujit në liqenet Badovc e Batllavë mbërriti kuotën maksimale.