Qeveria Duhet të Lusë Deputetët dhe të Shkelë Ligjet për Specialen?

Procedimi i sërishëm në kuvend i amendamenteve kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale ka mbetur çështje e “ngrirë” që nga koha kur deputetët e Kuvendit nuk e votuan krijimin e saj.

Ndërkaq, pakkush është në gjendje të japë një përgjigje të qartë se çfarë do t’i duhet qeverisë të bëjë që të kalojë në parlament ndryshimet kushtetuese, votimi i të cilave dështoi për pak vota herën e fundit.

Përderisa Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Gjykata Speciale duhet të përfundojë para se Kuvendi të dalë në pushim veror, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka vënë në pikëpyetje nëse qeveria ka numrat e duhura për ta votuar krijimin e kësaj gjykate.

“Seanca mund të mbahet në çdo kohë por unë nuk e di a ka pajtueshmëri për t’u votuar me 80 vota amendamenti apo jo. A do të duhej që lidershipi i partive të bisedojë me deputetët që kanë refuzuar ta votojnë ose vetë lidershipi do të duhej të bisedonte për ta trajtuar këtë temë dhe për të ndryshuar qëndrim”, tha Haliti.

Mbi deklaratën e Kryeministrit që çështja e gjykatës të përfundojë para pushimeve verore, ai tha se e ka dëgjuar, por nuk dinte nëse diçka e tillë bazohej mbi kushte të vërteta. “A ka diskutuar me deputetët që nuk kanë votuar ose edhe një subjekt shtesë?” theksoi Haliti.

Ai shtoi se edhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, duhet të bisedojë me deputetë e PDK-së që kanë votuar kundër Gjykatës Speciale.

“Unë besoj që kryetari i partisë së pari duhet të bisedojë me ta dhe duhet të sqarojë pozicionin e tyre dhe t’i lusë që të ndryshojnë qëndrim por në përputhje me qëndrimin e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Unë besoj që kjo do të ndodhë dhe do të ndryshojë gjendja faktike”, deklaroi ai.

Nënkryetari i Kuvendit tha se nuk e ndalon asnjë ligj që qeveria e Kosovës të procedojë në Kuvend sërish amendamentin kushtetues që i hap rrugën krijimit të Gjykatës Speciale.

“Tani e drejta e qeverisë së Kosovës është që ta sjellë kurdo që ajo mendon amendamentin e pandryshuar që ta votojmë. Madje Kryeministri ka të drejtë të thërrasë edhe mbledhje të jashtëzakonshme”, pohoi Haliti.

Ai tha se nuk do të duhet që lidershipi kosovar të jetë strikt rreth Gjykatës Speciale por këtë çështje ta marrin në gjendje të ngrirë.

Por procedimin e sërishëm të amendamenteve kushtetuese që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale e kundërshton opozita.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi tha se që nga dështimi i votimit të amendamenteve kushtetuese, qeveria e Kosovës ka filluar një fushatë presioni ndaj deputetëve.

“Një riprocedim i tillë do të paraqiste në vetë vete një formë tjetër të presionit ndaj deputetëve dhe për ne do të ishte i papranueshëm”, tha Çaushi.

Ai tha se një formë e tillë e presionit do të ishte e padrejtë dhe e papranueshme.

“Riprocedimi gjithashtu do të paraqiste një rrezik për demokracinë, si dhe do të ishte një dëshmi tjetër që qeveria e Kosovës nuk e njeh pavarësinë e Kuvendit të Kosovës. Sipas kësaj logjike çdo vendim i Kuvendit do të mund të rikthehej për votim nëse nuk do t’i pëlqente qeverisë”, deklaroi Çaushi.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se OKB-ja nuk do të mund ta krijojë Gjykatën Speciale për Kosovën.

“OKB nuk do të mund të themelonte një gjykatë speciale vetëm për Kosovën, të cilën nuk e njeh si shtet i pavarur. Në anën tjetër, po të ekzistonte kjo mundësi, as Lista Serbe dhe as Serbia nuk do të kërkonin që gjykata të bëhej në Kosovë – madje do ta pengonin këtë gjë”, tha Çaushi.

Ndërsa Zafir Berisha, deputeti nga NISMA tha se Kuvendi e ka thënë fjalën e tij për Specialen.

“Nuk ka të drejtë sepse Kuvendi para pak dite e ka thënë fjalën e vet për këtë çështje, nuk e di çka ka ndryshe për gjykatën që kuvendi të debatojë përsëri. Krijimi i praktikave që po tenton qeveria të bëjë presion ndaj Kuvendit e lëndon rëndë demokracinë në Kosovë”, tha Berisha.

Ai tha se me rregullore të Punës së Kuvendit dhe në Kushtetutën e Kosovës nuk janë të parapara këto situata.

Gjatë muajve të fundit, Kosova u vu nën presionin intensiv të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për krijimin e kësaj gjykate.

Funksioni i saj parësor parashikohej të ishte hetimi i ish-luftëtarëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte – kryesisht nga Serbia – gjatë luftës së viteve 1998-1999, e cila kulmoi me disfatën e Serbisë pas bombardimeve të NATO-s mbi Kosovë dhe Serbi.

Një dekadë më vonë, shpallja e pavarësisë së Kosovës shënoi vdekjen faktike të Jugosllavisë.

Gjyqe të mëparshme në Kosovë dhe në Tribunalin e Hagës dështuan të vërtetonin përfshirjen e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte, dhe Gjykata Speciale synonte të “korrigjonte” pikërisht këto dështime.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, kësaj të enjteje do të mbajë seancën e rregullt në të cilën sipas pikave të rendit të ditës, nuk do të diskutohet për Gjykatën Speciale.

Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, shqyrtimi i parë i Projektligjit për faljen e borxheve publike, shqyrtimi i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2014, dhe shqyrtimi i Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014.