Perëndimi Akuzohet se Lejoi Masakrën në Srebrenicë

Sarajevë – Gazetarja Florence Hartmann i tha BIRN në një intervistë se hulumtimet për librin e saj të ri tregojnë që zyrtarë francez, britanez dhe amerikan ishin në dijeni disa javë para se të ndodhte masakra e Srebrenicës në korrik 1995, që trupa serbe në Bosnjë po planifikonin të sulmonin ‘zonën e sigurt’ të deklaruar nga OKB.

“Në atë kohë në pranverë të vitit 1995, francezët dhe britanezët – që ishin trupat kryesore paqeruajtëse në Bosnjë dhe Hercegovinë – po kërcënonin që do të largonin ushtarët e tyre nga terreni nëse një marrëveshje paqeje nuk do të nënshkruhej së shpejti, sepse ata ndjenin që nuk mund të respektonin rezolutat për të mbrojtur zonat e sigurta, si Srebrenica,” tha Hartmann.

“Kjo do ta vendoste SHBA-në në një situatë ku do të duhej të dërgonte 20,000 ushtarë, gjë që ata nuk dëshironin ta bënin,” tha ajo.

Qeveritë perëndimore vendosën të mos ndalonin sulmin e serbëve në Bosnjë, por ta përdornin si mjet për shtimin e vrullit të përpjekjeve për paqe që po dështonin të përfundonin luftën tre vjeçare, pretendon ajo.

“Srebrenica pagoi çmimin për paqen,” tha ajo.

Në mënyrë që ‘të përdornin bombat dhe sulmet e NATO-s’ për të bërë presion në liderët serb në Bosnjë për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, Hartmann vazhdon, paqeruajtësit nga OKB duhej të evakuoheshin nga enklavat si Srebrenica, ku aty ishin të ekspozuar.

“Kështu që Srebrenica u sakrifikua. Pasi që përfundoi kjo, [forcat ndërkombëtare] ndaluan operacionin [e serbëve në Bosnjë] në Zepa [‘zonë e sigurt’ afër Srebrenicës],” thotë ajo.

Ajo pretendon që plani origjinal ishte të lejonin ‘zbrazjen’ e enklavave Zepa dhe Gorazhde, si në rastin e Srebrenicës, por Britanezët dhe Francezët e ndaluan këtë operacion në moment të fundit, “sepse nuk dëshiruan të turpëroheshin si trupat paqeruajtëse holandeze në Srebrenicë”.

Një nga aspektet kryesore dhe më të rëndësishme të hulumtimit të saj, thotë Hartmann, ishte të sfidonte ‘tregimin zyrtar se si Organizata e Kombeve të Bashkuara dështuan në mbrojtjen e Srebrenicës”.

Sekretari gjeneral i OKB Ban Ki-moon tha javën e kaluar që “Sekretariati, Këshilli i Sigurisë dhe shtetet anëtare të OKB e ndajnë fajin bashkërisht” për masakrën sepse ata nuk e ndaluan këtë.

Por Hartmann tha që dokumente të SHBA-së vërtetojnë që nga 28 maji deri më 20 korrik 1995, gjatë periudhës kur serbët në Bosnjë pushtuan Srebrenicën dhe masakruan mijëra njerëz aty, gjeneralët e OKB-së nuk kishin autoritet për të urdhëruar sulme ajrore.

Miratimi i sulmeve ajrore mund të urdhërohej vetëm nga shefi civil i OKB, Jasushi Akashi, që ishte në Dubrovnik, Kroaci më 9 dhe 10 korrik, dhe e nënshkroi miratimin më 11 korrik, kur erdhi në punë. Deri kur filluan sulmet ajrore atë ditë, forcat serbe në Bosnjë tashmë kishin sulmuar Srebrenicën.

“Mendoj që përshkrimi më i mirë për këto sulme ajrore është që ato ishin një shmangie e vëmendjes për publikun, kur ishte shumë vonë. Enklava kishte rënë. Ne kishim një situatë që lehtësoi komisionin e gjenocidit,” tha Hartmann.

Ajo tha që është e sigurt që fuqitë perëndimore nuk kanë paraparë që masakrat e Srebrenicës do të ndodhnin ose të merrnin pjesë në to, por mekanizmat politike të tyre “e vendosën një situatë që lejuan që diçka e tillë të ndodhte”.

“Mendoj që është me rëndësi për njerëzit jashtë rajonit që të tregojnë se si vendime diplomatike që nuk i vendosin njerëzit në qendër të preokupimit të tyre mund të shkaktojnë probleme. Ne nuk duhet ti shohim jetën e njerëzve si të pavlerë. Ne duhet t’i marrim mësimet,” shtoi ajo.

Nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga OKB ose qeveritë e Francës, Britanisë dhe SHBA për pretendimet e saj.

Hartmann raportoi për gazetën franceze ‘Le Monde’ gjatë luftës në Bosnjë dhe punoi për prokurorinë e gjykatës së Hagës në vitet 2000-ta.

Libri i saj i ri për masakrat e 1995, që u botua të martën, quhet ‘Gjaku i Politikave: Afera e Srebrenicës’.