Pacolli: Kundërshtuesit e Lirimit të Tarifave të Ankohen në BQK

Pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë së Sigurimeve, kryesuesi i saj Rrahim Pacolli mbajti konferencë për gazetarë.

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme ishte thirrur nga nëntë drejtorë të kompanive të sigurimeve ndër tjera për t’i bërë një trajtim ligjor vendimit të marrë nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës për uljen e tarifave të sigurimit kufitar të makinave për 50 për qind.

Këtë vendim Banka Qendrore e Kosovës e mori më 18 qershor.

Nëntë drejtorët që kërkuan mbledhjen e sotme të asamblesë kundërshtuan këtë vendim të BQK-së.

KALLXO.com-i provoi të kontaktojë përfaqësues nga kompanitë e sigurimeve “Illyria”, “ELSIG”, “Kroatia Sigurimi”, “Scardian”, “Sigma”, “Sigal”, “Sigkos” dhe “Dardania” që kundërshtojnë vendimin e BQK-së, por kontakti me ta me anë të telefonit ishte i pamundur.

KALLXO.com-i shkroi më 3 korrik për kundërshtimin që këto nëntë kompani po i bëjnë vendimit të BQK-së.

Pas mbledhjes Rrahim Pacolli kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve tha se nuk u pajtua me pikën e pestë të rendit të ditës ku kërkohej trajtimi i vendimit të BQK-së për uljen e tarifave.

“Këta kërkojnë me u trajtue ni ligj i Bankës Qendrore, ni vendim i Bankës Qendrore është ligj edhe kompanitë e sigurimeve nuk kanë të drejtë me e trajtu ni ligj,” tha ai.

Sipas tij, kompanitë kundërshtuese duhet të drejtohen diku tjetër, jo tek ai.

“E këta nëse kanë kundërshtim le të shkojnë në Bankë Qendrore. Qe dy herë që majmë mledhje qashtu,” tha Pacolli.

Ai tregoi se mbledhja e cila u zhvillua me dyer të mbyllura nuk prodhoi asnjë rezultat.

Aktualisht në Kosovë operojnë 12 kompani të sigurimeve vetëm tri nga të cilat pajtohen me lirimin përgjysmë të tarifave të sigurimit kufitar të makinave.

Kosova nuk është anëtare e Byrosë Evropiane të Sigurimeve, prandaj as pjesë e kartonit të gjelbër, një police të sigurimit të veturave që vlen për anëtarët e kësaj byroje.

Pacolli në Emisionin “Jeta në Kosovë”  të transmetuar më 25 qershor premtoi se Kosova do të bëhet pjesë e këtij kartoni më 1 korrik 2016 .