Kuvendi Nis Seancën me Një Minutë Heshtje për Srebrenicën

Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të Srebrenicës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli mbledhjen e sotme të Kuvendit e nisi me fjalë përkujtimi për masakrat e Srebrenicës të ndodhura më 11 korrik 1995.

“Në verën përvëluese të korrikut 1995 në qytetin e Srebrenicës të Bosnjës, u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore, e njohur si Masakra e Srebrenicës. Brenda 2 ditësh mbi 8 mijë burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve të  Millosheviqit. Mijëra familje u shkatërruan  përgjithmonë, një qytet që daton prej kohës romake u zhbë brenda pak orësh,” tha Veseli.

Brenda dy ditësh bëhen 20 vjet nga këto masakra.

Veseli në fjalën e tij tha se edhe 20 vjet pas masakrave në këtë qytet boshnjak drejtësia nuk është përmbushur.

“Krimi në Srebrenicë shfaqi natyrën e vërtetë të regjimit të Millosheviqit që vetëm tre vjet më vonë me të njëjtën barbari u shfaq në fshatrat dhe qytetet e Kosovës… 20 vjet pas krimit në Srebrenicë, e 16 vjet pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Mejë, Gjakovë e vende të tjera të Kosovës drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vijë në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin vetëm kobe të reja,” tha Veseli.

Pastaj ai kërkoi një minutë heshtje në kujtim të 8 mijë të vrarëve të këtyre masakrave.

Sot disa organizata të boshnjakëve të Kosovës do të organizojnë një marsh në Prizren në kujtim të atyre që u vranë në Srebrenicë.