Mbahet Konferenca për Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore

Qendra Kosovare për Studime Gjinore, sot organizon konferencën “Përmirësimi i Llogaridhënies Institucionale për Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në Vendimmarrje”.

Kjo konferencë ka për qëllim të promovojë iniciativën për arritjen e balancës gjinore 50:50 në pozita vendimmarrëse në institucionet publike përmes përmirësimit të llogaridhënies institucionale.

Barazia gjinore është një parakusht i rëndësishëm për realizimin e plotë të të drejtave të njeriut.

Kosova po e krijon traditën e saj në promovimin e barazisë gjinore duke përmirësuar legjislacionin kombëtar për barazi gjinore, por përkundër kësaj të arriture Ligji për Barazi Gjinore që parasheh që të paktën 50% e punëve në sektorin publik në të gjitha nivelet t’i kryejnë gratë nuk po respektohet.

Prania e grave në vendimmarrje është kusht thelbësor, jo vetëm për të siguruar përmirësimin e politikave miqësore për gratë, por edhe realizimin e një prej parimeve bazë të demokracisë.

Gjatë konferencës do të diskutohet për rëndësinë e përfaqësimit të barabartë gjinor në procese vendimmarrëse dhe përmirësimin e llogaridhënies nga institucionet publike rreth zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore.

Kjo konferencë është pjesë e projektit “Përmirësimi i llogaridhënies për barazinë gjinore në vendimmarrje”, i cili është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).