Qendra e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla

MAPL i Kërkon Komunës Së Deçanit Respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i ka kërkuar Komunës së Deçanit që të ndërmarrë veprime konkrete që Komiteti për Politikë dhe Financa të jetë në harmoni me Ligjin për Barazi Gjinore.

Komuna e Deçanit ka kërkuar nga interpretim nga MAPL-ja në lidhje me themelimin e këtij komiteti, por ka marrë përgjigjen se ai nuk është në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore.

“Ky vendim nuk është në përputhje me Ligjin Nr.05/L-020 për Barazi Gjinore, nenin 6, paragrafin 7 dhe 8”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Komunën e Deçanit.

Ministria në përgjigje tregon se çfarë thuhet në këtë nen dhe paragrafët e tij.

“Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji”, thuhet në sqarimin e ministrisë.

E një përfaqësim i barabartë sipas MAPL-së arrihet kur sigurohet përfaqësimi minimal prej 50%  për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese e vendimmarrëse.

MAPL ka kërkuar që brenda 30 ditëve, Komuna e Deçanit të ndërmarrë veprime konkrete në lidhje më këtë vendim.

“Bazuar në të cekurat më lartë, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, kërkon nga Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës së Deçanit që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë  me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet tutje në përgjigjen e MAPL-së për Komunën e Deçanit.

Për respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore, MAPL-ja së bashku me Agjencinë për Barazhi Gjinore u kanë dërguar shkresë shpjeguese të gjitha komunave.

http://kallxo.com/komunave-u-kerkohet-perfaqesim-barabarte-gjinor-ne-qeverisje/

Në serinë e debateve komunale “Debat Përnime” në dy raundet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit dhe 19 nëntorit, Jeta Xharra vazhdimisht e ka bërë pyetjen në drejtim të kandidatëve për kryetar komune, se sa do të jetë përfaqësimi gjinor në ekipet e tyre udhëheqëse, për të marrë premtimet e tyre.

Premtimet e tashmë kryetarëve të zgjedhur do të maten me Krypometër, produktin e KALLXO.com për vërtetësinë e deklaratave publike, posa ata t’i prezantojnë ekipet e tyre.

Në dy artikujt e mëposhtëm mund të lexoni premtimet e kryetarëve të zgjedhur të komunave se nga sa gra do t’i kenë në ekipet e tyre udhëheqëse.

A do të Ketë më Shumë Gra në Krye të Drejtorive Komunale?

Fituesit e Komunave Kanë Premtuar Më Shumë Gra në Krye të Drejtorive