Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

UP siguron përfaqësim gjinor, emërohen 3 prorektore

Përfaqësimi gjinor në menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” këtë vit është më mirë se vitin paraprak.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në krye me rektorin, Naser Sahiti ka 3 gra prorektore nga 4 të emëruar.

Prorektore për mësimdhënie dhe çështje të studentëve është emëruar Mimoza Ibrani, prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar, Albulena Blakaj-Gashi dhe prorektore për Buxhet dhe Financa, Mihane Berisha.

Deri tani, Këshilli Drejtues i UP-së ka emëruar vetëm një burrë si prorektor. Ai është Kurtesh Sherifi që është emëruar për Kërkime Shkencore, ndërsa KD i ka mbetur të emërojë vetëm edhe një prorektor.

Megjithatë, edhe nëse në këtë pozitë emërohet edhe një burrë, Universiteti i Prishtinës ka siguruar përfaqësim gjinor ashtu siç e parasheh Ligji për Barazi Gjinore.

Sipas Ligjit për Barazi Gjinore, përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Tutje Ligji thotë se përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike, arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Vitin e kaluar, kur në krye të UP-së ishte rektor Marjan Demaj, UP kishte vetëm dy gra prorektore, Myrvete Badivuku-Pantina dhe Merita Koçinaj-Berisha.

Sipas statutit të UP-së, Këshilli Drejtues është organ vendimarrës sa i përket zgjedhjes së prorektorëve, ku për këtë nevojiten 2/3 e anëtarëve të KD-së.

Zgjedhja e prorektorëve është bërë pas zgjedhjeve të mbajtura në UP, ku rektor për 4 vite është zgjedhur Naser Sahiti.

KALLXO.com po ashtu ka raportuar se vetëm tre gra do të udhëheqin në tre Fakultete të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa në krye të 11 fakulteteve të tjerë do të jenë burrat.

Dekanet gra të zgjedhura për udhëheqjen e Fakulteteve janë Lindita, Rugova, në Fakultetin  Filologjik, Suzana Manxhuka-Kërliu, në Fakulteti i Mjekësisë dhe Violeta Nushi në Fakulteti e Arkitekturës.

Vetëm tre gra në krye të Fakulteteve të Universitetit të Prishtinës

.