Hulumtimi i BRIN-it tregon se më pak se 20 për qind e drejtorive komunale në Kosovë udhëhiqen nga gratë

Sipas Ligjit për barazi gjinore përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

Megjithëse ligji e thekson se duhet të respektohet kuota 50 për qind, aktualisht në vendin tonë më pak se 20 për qind e drejtorive komunale në Kosovë udhëhiqen nga gratë.

Agjencia për Barazi Gjinore, Ministria e Administrimit të Pushtetit dhe Institucioni i Avokatit të Popullit në vazhdimësi u kanë bërë thirrje publike kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, për të respektuar Ligjin për barazi gjinore, me theks mundësitë e barabarta dhe përfaqësimin e barabartë gjinor.

Avokati i Popullit, vazhdimisht ka kërkuar përfaqësim të barabartë gjinor, edhe në listat zgjedhore të partive politike. Për më tepër ky institucion ka gjetur shkelje të Ligjit për barazi gjinore pasi që ka konstatuar se nuk ka pasur përfaqësim 50/50 në listat e kandidatëve.

Së fundmi Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal përmes Ministrisë së Drejtësisë ka paditur pesë komuna të Kosovës, për arsye se nuk kanë respektuar urdhërat e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, gjatë procedurës së emërimit të anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Prishtina, Vushtrria, Dragashi, Malisheva dhe Deçani janë komunat e paditura për shkak të procedurës së emërimit të anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa.

 

https://kallxo.com/pese-komuna-paditen-per-mos-respektim-te-barazise-gjinore/

Në kuadër të kësaj iniciative, serinë e debateve komunale të emisionit televiziv “Jeta në Kosovë” – “Debat Pernime” në dy raundet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit dhe 19 nëntorit të vitit të kaluar, kandidatëve për kryetar komune u është bërë pyetja se sa do të jetë përfaqësimi gjinor në ekipet e tyre qeverisëse.

Premtimet e tashmë kryetarëve të zgjedhur janë matur me “Krypometër”, produktin e KALLXO.com për vërtetësinë e deklaratave publike, të cilat më poshtë mund t`i shihni të paraqitura edhe në formë grafike.

Nga ky hulumtim i realizuar nga BIRN-i, lidhur me Drejtoritë të cilat udhëhiqen nga gratë, ka dalë se nga 292 drejtori në 27 komuna për të cilat kemi marrë informata, vetëm 58 drejtori janë të udhëhequra nga gratë.

Pra vetëm 19.86% nga 292 Drejtori në 27 komuna të Kosovës udhëhiqen nga gratë.

Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë që të pasqyrohet gjendja reale nëpër komuna, se në sa prej tyre janë duke e respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.

Nga hulumtimi i BIRN-it është venë në pah se vetëm dy komuna të Republikës së Kosovës janë duke e respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.

E kemi rastin e Komunës së Drenasit, me c’rast nga 10 drejtori sa janë në këtë Komunë, vetëm 5 udhëhiqen nga gratë.

Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci në ‘Debat Pernime’, pati premtuar që në ekipin e tij do të jenë 5 drejtoresha të cilat do të udhëheqin me drejtoritë e kësaj komune dhe i njëjti e ka mbajtur premtimin.

Ai ka respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, pasi nga 10 drejtori sa janë në këtë Komunë, 5 udhëhiqen nga gratë.

Komuna e dytë është Komuna e Kamenicës e cila aktualisht është për t`u marrë shembull, kjo pasi që nga 11 drejtori sa ka kjo Komunë, 6 udhëhiqen nga gratë.

Edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati pati premtuar që do ta respektoj Ligjin për Barazi Gjinore.

“Synojmë që mbi 50 për qind të jenë gra”, ka qenë përgjigja e Qëndron Kastratit në debatin për Komunën e Kamenicës.

Ai ka respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, pasi 6 nga 11 drejtori të kësaj komune udhëhiqen nga gratë.

 

https://kallxo.com/gjysma-e-drejtorive-ne-kamenice-do-te-udhehiqen-nga-grate/?fbclid=IwAR3bIEbhOL4k_4c8SkhCFXRw-D-Dz9RYVDcemAiiSCzhHpPvOiuTm7UHFRo

Ndërsa komuna e cila qëndron më se keqi sa i përket përfaqësimit gjinor është Komuna e Dragashit.

Në komunën e Dragashit, nga 8 drejtori sa ka kjo komunë, të gjitha udhëhiqen nga burra, asnjë nuk udhëhiqet nga gratë.

E pak më mirë qëndron Komuna e Deçanit, e cila nga 11 drejtori sa janë në këtë komunë, vetëm një udhëhiqet nga një grua.

 

Rrena e Kryetarit të Deçanit

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj në debatin për komunën e Deçanit ka premtuar se “dy drejtori të udhëhequra nga gratë janë të sigurta në mandatin e tij”, kishte thënë Ramosaj por i njëjti një premtim të tillë nuk e ka mbajtur.

Njëjtë qëndron edhe Komuna e Istogut, nga 11 drejtori sa ka kjo komunë, vetëm një udhëhiqet nga një grua.

Me vetëm një grua në krye të udhëheqësisë së një drejtorie në komunë, është edhe komuna e Klinës.

Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj pati premtuar se nëse zgjedhet kryetar, ekipi i tij do të ketë tri e më shumë gra drejtoresha.

“Edhe unë premtoj tri drejtori e më tepër”, pati potencuar Elezaj.

Por nga 10 drejtori të kësaj komune, vetëm një udhëhiqet nga një drejtoreshë grua.

Në situatë të njëjtë është edhe Komuna e Podujevës, e cila ndonëse është e përbërë nga 11 drejtori vetëm një prej tyre i është besuar një gruaje.

Edhe Komuna e Prizrenit ndonëse është e përbërë nga 13 drejtori, vetëm me njërën prej drejtorive të kësaj komune, udhëheq një grua.

 

https://kallxo.com/prizreni-mbetet-me-vetem-nje-drejtoreshe/?fbclid=IwAR0Tz4xc16nUyD9XNkSTgrTL7YSvVdAX6ofkZ-ySbxjB0tSGwE5sRdrOhx0

Me nga një grua në krye të drejtorive janë edhe Komuna e Vitisë dhe ajo e  Malishevës.

BIRN dhe Internews Kosova në vazhdimësi kanë paraqitur nevojën edhe për ndryshimin dhe harmonizimin e legjislacionit aktual i cili ndikon në të drejtën e grave në pronë, duke qenë pjesë aktive me dhënien e rekomandimeve për projektligjet për trashëgiminë, noterinë dhe procedurën jo kontestimore.

Si organizatë vazhdimisht jemi duke i monitoruar edhe rastet gjyqësore të grave që kërkojnë të drejtën në pronë, raste  të cilat më pas i kemi pasqyruar edhe në emisionet tona “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” me qëllim të sensibilizimit të masës për problemet në të cilat hasin gratë për realizimin e të drejtës së tyre në pronë.

Në kuadër të projektit për avancimin e të drejtave pronësore, ne si BIRN nga muaji qershor i vitit 2018 jemi duke e realizuar edhe një hulumtim në lidhje me regjistrimin e pronave të zyrtarëve të lartë, që mbajnë poste të rëndësishme në vendin tonë.

Hulumtim nga i cili ka rezultuar se nga 31 Kryetarë të Komunave të Kosovës të kontaktuar nga BIRN, nga 16 nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm 4 kanë deklaruar se posedojnë pronë të pa luajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Pra vetëm 25% prej kryetareve të cilët janë përgjigjur kanë thënë se e kanë pronën e përbashkët të regjistruar në emër të dy bashkëshortëve.

Hulumtimi ka përfshirë edhe drejtorët e drejtorive komunale, struktura politike të emëruar nga kryetarët e komunave.

Në hulumtim për drejtoret e këtyre komunave, ka rezultuar se nga 330 Drejtorë të 31 Komunave në Republikën e Kosovës të cilët janë kontaktuar, prej 53 drejtorëve nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm dy drejtorë të drejtorive posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Faza tjetër e hulumtimit po vazhdon me zyrtarë të tjerë të lartë, që mbajnë poste të rëndësishme në vendin tonë, siç janë Ministra, Gjyqtarë, Prokurorë, Deputetë etj. Me ç’rast parashihet që në vazhdimësi me anë të këtij hulumtimi të paraqiten gjetje në lidhje me pronat e zyrtarëve të lartë në Republikën e Kosovës.

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

.

www.KALLXO.com