Kuvendi i Kosoves, Photo:Atdhe Mulla.

Barazia që nuk Zbatohet-Pak Gra në Pozita Drejtuese

Në seancën e organizuar nga grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me UNDP-në, të pranishme ishin më shumë se 100 asambliste, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në këtë seancë kryesisht u diskutua për buxhetimin gjinor, por u kërkua edhe që të kishte barazi gjinore në të gjitha sferat, veçanërisht në atë të punës.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete në Kuvend, Blerta Deliu-Kodra, teksa foli për një historik të ligjeve që garantojnë barazinë gjinore, konstatoi se kjo barazi nuk është arritur.

“Në vitin 2015 Kuvendi ka miratuar ligjin e ri për barazi gjinore i cili sheh 50 me 50 përfaqësi të gruas në institucionet e Republikës së Kosovës, megjithatë raportet thonë se ky ligj nuk po gjen miratim as në institucionet qendrore e aq më pak në ato lokale. Shqetësuese gjithashtu mbeten edhe pozitat drejtuese që janë vetëm 5.2 për qind të pozitave drejtuese të cilat udhëhiqen nga gratë”, tha Deliu.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se barazia gjinore është interes nacional i Kosovës.

“Barazia gjinore nuk është çështje e retorikës sonë ditore, barazia gjinore është në fakt interesi ynë thelbësor, nacional dhe strategjik i shoqërisë sonë që aspiratën time dhe ecjen përpara të proceseve euroatlantike”, tha Veseli.

Veseli kërkoi që gratë të insistojnë më shumë për zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore.

“Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm dhe real nëse gjysma e popullatës nuk është e përfshirë. Ajo se çfarë na shqetëson është se ligjet për barazi gjinore po hasin në vështirësi në implementimin e tyre. Neglizhenca e institucioneve ligjzbatuese është një prej shkaqeve kryesore, por në të njëjtën kohë duhet të kemi edhe një insistim më të madh të grave”, tha Veseli.

Përfaqësuesja e UNDP-së Aleksandra Solovieva u ndal te shembujt e mirë të barazisë gjinore që përçoi Kosova si shtet.

“Kosova sot në rajon është njëra ndër vendet me më së shumti gra në Kuvend, kishit një grua presidente dhe ka shumë vende të tjera në të cilat gratë nuk kanë shkuar aq larg, siç ishte rasti i SHBA-ve”, tha Solovieva.

Ajo deklaroi se nuk mund të përjashtohet gjysma e popullsisë.

“Kosova është e vogël duhet të përdorim të gjithë talentin, nuk mund të lëmë jashtë 50 për qind të popullatës, na duhet të përdorim gjithë talentin në politikë, ekonomi dhe arte”, tha Solovieva.

Më tutje Blerta Deliu përmendi si shembull të barazisë gjinore shembullin e Komunës së Drenasit ku pesë gra udhëheqin drejtori komunale.

Por asamblistja e Drenasit Sabrije Kukaj nuk ishte e kënaqur me gratë e punësuara në institucionet komunale në raport me të papunat.

“Po i harrojmë 80 për qind të grave që nuk janë të punësuara dhe po kërkojnë barazi gjinore dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor, unë e di që përfitojnë edhe gratë sa i përket kanalizimeve, rrugëve, ujësjellësve, etj. Çka keni bërë? Çka ka bërë Qeveria e Kosovës, për numrin e 80 përqindëshit që po them që janë të pa punësuara, që çdo ditë zgjohen pa shpresë për veten dhe fëmijët e tyre”, tha Kukaj.

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci në Debatin “Jeta në Kosovë në të cilin u përball me kundërkandidatin Isa Xhemajlaj më 15 dhjetor 2016 kishte deklaruar se do të ketë barazi gjinore në kabinetin e drejtuar prej tij.

Këtë deklaratë të Lladrovcit, krypometri, produkti i KALLXO.com që mat deklaratat publike  e konsideroi të vërtetë.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri