Banorët e Kërvasarisë protestojnë kundër gurëthyesit - Foto: KALLXO.com
FOTO: Banorët e Kërvasarisë protestojnë kundër gurëthyesit
Ka disa ditë që banorë të fshatit Kërvasari të Malishevës ditën po e nisin me përpjekje për t’i ndalur punimet e një gurëthyesi afër shtëpive të tyre.
Banori i këtij fshati, Agon Bytyqi, thotë se gurëthyesi i kompanisë “Beton Grup” po e rrezikon jetën dhe pasurinë e tyre si dhe po e dëmton ambientin.
“Ne si banorë kemi qenë të detyruar të dalim në këtë protestë pasi kjo kompani po na shkatërron ambientin, po na i shkatërron vendbanimet dhe po na bënë jetën të pamundshme në këtë vend. Ne si qytetarë kemi marrë vesh shumë vonë pasi është mbajt si një lloj sekreti ne 3 muajt e fundit kemi organizuar gjithçka masi ne jemi kundër që kjo më i zhvillu punimet këtu”, tha Bytyqi për KALLXO.com.
Për ta kundërshtuar punën e gurëthyesit, Agon Bytyqi thotë se banorët kanë nënshkruar një peticion, të cilin ia kanë dërguar kryetarit të Komunës, Ragip Begajt.
“Ne e kemi bërë një peticion me 400 nënshkrime, i jemi drejtuar kryetarit të Komunës dhe I kemi kërkuar ndihmën e tij për shkak se ai neve na ka thënë që unë e kam dhënë një pëlqim që Komuna nuk ka plan që të zhvillojë ndonjë aktivitet komunal”, tha Bytyqi.
Ky qytetar thotë se banorët nuk janë kundër zhvillimit ekonomik të kësaj ane por kërkojnë të merret parasysh edhe jeta e tyre.
“Ne nuk jemi kundër zhvillimit ekonomik, por jo të bëhet zhvillimi ekonomik duke na dëmtuar ne. Askund në botë s’ka kështu, ta rriti një kompani edhe le të shkatërrohet një fshat, 1.500 banorë, 200 shtëpi, nuk kemi kah të shkojmë. I bëj apel kryetarit të Komunës, tërhiqe këtë nënshkrim edhe lërna rehat se boll kemi hallet tona. Të paktën t’i mbajë premtimet e zgjedhjeve”, tha Bytyqi.
Shqetësim të njëjtë ka edhe banori tjetër i fshatit Kërvasari, Xhelal Bytyqi.
“I bashkëngjitëm kësaj proteste që bashkëfshatarët e mi e kanë organizuar dhe me arsye të plotë sepse po na rrezikohet jeta nga mbeturinat e këtyre gurëve apo gurëthyesve që janë ndërtuar këtu. Me këtë pastërti që e kemi ne po na mbytet dhe me një fjalë jeta jonë po na vështirësohet. Më mirë ta parandalojmë mos ta lejmë që të mbijnë si kërpudha para shiut”, tha Bytyqi.
Banori tjetër, Behar Bytyqi tha se nga punimet e gurëthyesit i është çarë edhe muri i oborrit dhe se për këtë po ka frikë të fillojë ndërtimin e shtëpisë.
“Unë jam pronar I kësaj toke dhe kam vendos me dalë me shtëpi këtu, e kam bërë rrethimin dhe tokën e kam ble, por shkaku i këtyre gurëthyesve me ka kris muri dhe në 5 vende të tjera. Unë shtëpi s’mundem me ndërtu nëse bëhet ky gurëthyes”, tha ai për KALLXO.com.
Lidhur me protestën dhe kërkesat e banorëve të Kërvasarisë dhe të fshatrave përreth, zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi tha se Komuna ka dhënë vetëm pëlqimin se nuk është në planin urbanistik të Komunës për ndonjë punim tjetër dhe se kjo është përgjegjësi e Komisionit për Miniera dhe Minerale.
“Ne si Komunë mund të ndërmarrim veprime për ndërprerjen e asaj veprimtarie nëse Inspektorati i Ministrisë së planifikimit hapësinor apo nëse inspektorët e Komisionit për Miniera dhe Minerale e vlerësojnë se ai gurëthyes rrezikon jetën e banorëve apo rrezikon ndotjen e ambientit”, tha ai për KALLXO.com.
KALLXO.com ka biseduar edhe me pronarin e kompanisë “Beton Grup”, Shefshet Morina.
Ai tha se kompania e tij po e zhvillon aktivitetin konform ligjeve në fuqi dhe se pajisjet janë të standardeve të larta.
“Meqenëse ne jemi të pajisur me dokumentacion komplet atëherë kemi filluar me aktivitetin në këtë lokalitet. Pajisjet tona janë të fjalës së fundit të teknologjisë dhe konform normave dhe standardeve të bashkësisë europiane. Zhvillimi i aktivitetit do te sjellë vetëm dobi sepse një numër i punëtoreve do të punësohen nga këto lokalitete. Sa i përket ndotjes së ajrit që është shqetësimi i këtyre banorëve ne do ju garantojmë se me pajisjet që i disponojmë me sistem uji dhe avulli, ndotja e ajrit do jetë në parametrat konform normave dhe standardeve vendore dhe ndërkombëtarë”, tha Shefshet Morina.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Komisionin për Miniera dhe Minerale në lidhje me pretendimet e banorëve të fshatit Kërvasari.
Ata përmes një email-i kanë thënë se kompania “Beton Grup” i ka përmbushur të gjitha kërkesat që të marrë licencën dhe të punojë si gurëthyes në këtë anë.
“Ndërmarrja “Beton Grup”shpk, posedon të gjitha pëlqimet nga autoritetet tjera relevante dhe mbi bazen e pëlqimeve KPMM ka Licencuar ndërmarrjen në fjalë me Licence shfrytëzimi për gurë gëlqerore . Duke pasur parasysh kufizimet që dalin nga Neni 13 I LMM,tek ndërmarrjet me shfrytëzim me minim kriter i distancës është 500 metra nga objektet e banimit dhe se nga gjendja e Geo – databaza e korrigjuar nga Google Earth 2018 shofim se ekzistojne këto distanca:
“Pjesën veriore ne distancë me objekte prej 775 m, Jug –perëndim në distancë me objekte prej 1100 m, Veri –perëndim në distancë me objekte prej 890 m dhe Veri-lindje në distancë me objekte prej 989 m, Jug-perëndim në distancë me objekte 680 m dhe Veri-lindje në distancë me objekte 1100 m “, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com
KALLXO.com po ashtu i ka shkruar rreth kësaj çështjeje edhe Ministrisë së Mjedisit, por deri në momentin e publikimit të këtij raporti nuk kanë kthyer përgjigje.