Njerëz duke kaluar para një posteri zgjedhjesh në Bosnje. Foto: BETA.

Fëmijët në Bosnje shfrytëzohen në fushatën zgjedhore

Ata mund të mos kenë të drejtë të marrin pjesë, por fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve boshnjakë shihen qartë si fitues votash nga politikanët në prag të zgjedhjeve të 7 tetorit në vend.

Keqpërdorimi i të miturve në fushatën e partive politike nuk është i ndaluar në mënyrë eksplicite sipas ligjit të Bosnjës, por ekspertët thonë se kjo është çështje etike.

“Kjo çështje, ku vetë-rregullimi është i rëndësishëm, kërkon një nivel të lartë standardesh etike dhe mund të shohim se në Bosnje ka një problem me këtë,” tha Zlatiborka Popov Momcinoviç, një profesoreshë sociologjie në Sarajevën Lindore.

“Për fat të keq, fëmijët përdoren si reklama, ndërkohë që pas zgjedhjeve në shumicën e rasteve ata lihen pas dore.”

Fotografi të nxënësve të buzëqeshur që përshëndesin politikanë janë thjesht një shembull i keqpërdorimit të të miturve në prag të zgjedhjeve.

Javën e kaluar, Zhelka Cvijanoviq, kryeministre e Republikës Srpska në Bosnje dhe kandidate për presidente, mori pjesë në një ceremoni për hapjen e një palestre të re në një shkollë fillore në qytetin lindor boshnjak të Zvornikut, ku e pritën një grup fëmijësh.

BIRN kontaktoi me partinë SNDS të Cvijanoviqit dhe disa parti të tjera për t’i pyetur për këndvështrimet e tyre për përfshirjen e fëmijëve në fushatën zgjedhore, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.

Nada Grahovaç, avokate e popullit për fëmijët në Republikën Srpska, tha për BIRN se keqpërdorimi i fëmijëve në fushatë ishte një problem periodik.

“Pa një ligj apo ligj të ndryshuar zgjedhor, ne mundemi vetëm t’i dërgojmë një letër Komitetit Qendror Zgjedhor të Bosnjës për të ndikuar te partitë politike që të jenë të kujdesshme në këtë çështje,” tha Grahovaç.

Ligji Zgjedhor i Bosnjës nuk ofron sanksione për keqpërdorimin e fëmijëve në fushatë dhe parlamenti kombëtar nuk e ka marrë ende në shqyrtim çështjen.

Grahovaç tha se nuk duhen fajësuar vetëm politikanët, por edhe prindërit dhe kujdestarët që pranojnë që fëmijët e tyre të përdoren.

Në shtator u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve midis UNICEF-it dhe Rregullatorit të Komunikimeve të Bosnjës, me qëllim ekuilibrimin e të drejtës së të miturit për informim dhe rëndësinë e mbrojtjes së tyre në këtë proces.

UNICEF Bosnja tha për BIRN se ata vunë në dukje raportet e medias për pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitetet të organizuara nga partitë politike dhe se ata përkrahin pjesëmarrjen kuptimplotë të fëmijëve në vendimet që i prekin ata.

“Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, i kujtojmë të gjithë të shqetësuarve për mirëqenien e fëmijëve. Ne besojmë se mesazhet politike mundet dhe duhen filtruar përmes prizmit të të drejtave të fëmijëve,” tha UNICEF në një deklaratë me shkrim. (reporter.al)