Albin Kurti në Srebrenicë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 21 vjetorit të masakrave dhe gjenocidit në Srebrenicë në të cilat ku për pak ditë ushtria dhe vullnetarët serbë patën vrarë së paku 8.327 boshnjakë.

I ftuar nga Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës, përkatësisht nga kryetarja Munira Subashiq, si dhe nga kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahiroviq, Kurti mori pjesë në ceremoninë mortore, vizitoi shoqatat e familjarëve dhe bëri nderime te monumenti pranë varrezave e vendosi lule të freskëta në kujtim të të vrarëve.

Ai shprehu solidaritetin e tij me të afërmit e viktimave dhe popullin boshnjak, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.

Kjo parti ka thënë se as pas 21 vitesh Serbia nuk e ka pranuar fajin për gjenocidin që ka kryer si shtet.

“Republika Srpska, ky projekt i krijuar nga gjenocidi edhe sot është kërcënim për viktima të reja. Kështu ndodh kur marrëveshjet e paqes bazohen në raporte forcash, dhe jo në vendosje të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

“Projekti shovinist serb që ka shkaktuar luftërat në ish Jugosllavi është ende aty. Ai po vazhdon të tolerohet në emër të interesave gjeopolitike e ruajtjes së stabilitetit. Por, historia ka treguar se rreziqet më të mëdha për paqen janë konservizimi i padrejtësisë e formave të ndryshme të diskriminimit”, thotë Vetëvendosje.

Përderisa sot në varrezat e Srebrenicës janë varrosur mbetjet mortore të 121 personave të vrarë në këtë masakër, rreth 2,000 të tjerë konsiderohen ende të pagjetur.

kurti2