Studimi: Shtimi i kripës në ushqim rrit gjasat e sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes së parakohshme

Studimi i ri i madh duke i përdorur të dhënat e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar tregon se edhe një reduktim i vogël i përdorimit të kripës mund të jetë i dobishëm për shëndetin tonë.

Mospërdorimi i kripës nga vaktet e ushqimit mund ta ulë rrezikun e problemeve të zemrës dhe sulmeve me pothuajse një të pestën, sugjeron studimi më i madh i këtij lloji.

Hulumtimet kanë dokumentuar se si shtimi i kripës në ushqim rrit gjasat e sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes së parakohshme. Tani ekspertët kanë vërtetuar se sa shumë mund ta ndryshoni shëndetin e zemrës suaj – thjesht duke e reduktuar numrin e vakteve në të cilat shtoni kripë ose duke e hequr atë fare.

Studiuesit kanë zbuluar se ata që nuk shtojnë asnjëherë kripë në vakte kanë 18% më pak gjasa për të zhvilluar Fibrilacion Atrial (AF), një sëmundje e zemrës, krahasuar me ata që e bëjnë gjithmonë. Numri i diagnostikuar me këtë gjendje në Mbretërinë e Bashkuar është rritur me 50% në dekadën e fundit në 1.5 milionë.

Fibrilacioni Atrial shkakton një ritëm të parregullt dhe shpesh anormalisht të shpejtë të zemrës, duke çuar në marramendje, gulçim dhe lodhje. Njerëzit me Fibrilacion Atrial kanë pesë herë më shumë gjasa të kenë një sulme në tru.

Autori kryesor i studimit, Dr Yoon Jung Park, nga Spitali Universitar Kombëtar Kyungpook, Koreja e Jugut, thotë se “studimi ynë tregon se frekuenca më e ulët e shtimit të kripës në ushqime ishte e lidhur me rrezik më të ulët të Fibrilacion Atrial“.

Gjetjet jane prezantuar këtë fundjavë në Amsterdam në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë, konferenca më e madhe në botë e zemrës.

Hulumtimi ka përdorur të dhëna nga Biobank e Mbretërisë së Bashkuar, i cili përfshinte më shumë se 500,000 njerëz të moshës 40-70 vjeç në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga viti 2006 deri në 2010. Ata që kishin tashmë Fibrilacion Atrial, sëmundje të arterieve koronare, dështim të zemrës ose goditje në fillim të hulumtimit u përjashtuan. 

Secili u pyet se sa rregullisht i kriposnin vaktet e ushqimit, nga “asnjëherë/rrallë”, në “ndonjëherë”, “zakonisht” ose “gjithmonë” e bëjnë këtë. Studiuesit më pas i gjurmuan ata për 11 vjet për të parë se si kjo ndikoi tek ata. Krahasuar me ata që gjithmonë i kriposnin ushqimet e tyre, ata që nuk e bënin asnjëherë një gjë të tillë kishin 18% më pak gjasa të vuanin nga Fibrilacion Atrial. Njerëzit që ndonjëherë shtonin kripë në vakte kishin 15% më pak gjasa.

Studimi sugjeron se edhe ata që e ndryshojnë dietën e tyre nga shtimi i kripës “zakonisht” në shtimin e saj, mund ta shohin një ndryshim të madh në rrezikun e tyre. Ata në grupin e zakonshëm kishin 12% më pak gjasa të zhvillonin Fibrilacion Atrial sesa ata që “gjithmonë” e bëjnë këtë.

Prof James Leiper i Fondacionit Britanik të Zemrës, thotë se “është e njohur që përdorimi i tepërt i kripës mund të çojë në probleme shëndetësore. Ky hulumtim është një kujtesë e dobishme se ne të gjithë mund të përfitojmë nga respektimi i rekomandimit të qeverisë për të përdorur jo më shumë se 6g kripë në ditë – rreth një lugë çaji.”

Mhairi Broën, nga Consensus Action on Salt, Sugar and Health, thotë se” ky hulumtim i ri është një shtesë e vlefshme për bazën e provave dhe e përforcon nevojën për politika strikte që do të ndihmonin në uljen e sasisë së kripës në ushqimin tonë dhe për ta mbrojtur shëndetin tonë nga të vdekjet që mund të evitohen.”/The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala