Foto: Komuna e Drenasit

Përkujtohen të rënët e masakrës së Poklekut, mungojnë liderët

Në ambientet e Teatrit Kombëtar në Prishtinë është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të masakrës së Poklekut.

Me këtë rast kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se Drenica ishte cak i gjenocidit për disa herë me radhë.

“Drenica u sulmua pamëshirshëm, jo për të mbajtur mend por për ta fshirë nga faqja e dheut me gra fëmijë e pleq, këto masakra të një pas njëshme pas epopesë së përpjekjeve mbi njerëzore të Jasharajve në prapavi e kishin spastrimin etnik. Para 20 vitesh forcat serbe vranë e dogjën gra fëmijë e pleq, në këtë ditë nuk do ta harrojmë ngase këtu jepet dëshmia se si erdhi fundi i okupatorit”, tha Lladrovci.

Skender Muqolli, në emër të familjeve të dëshmorëve, tha se në fshatin Poklek është kryer gjenocid ndaj popullatës civile nga ana e ish-ushtarëve serb.

“Ata kryen gjenocid i cili është shumë lehtë i dëshmueshem sepse në këtë krim u vranë civil të pafajshëm dhe të pa aramtosur. Të gjitha këto duke i përmendur nga foshnja gjashtë muajshe, e deri tek pleq të shtyrë në moshë të cilët ishin të palëvizshëm të gjitha janë të argumentuar me dëshmi të mjaftueshme që ndoshta në rrethana normale do të duhej të përgjigjeshin individët”, tha Muqolli.

Ndërsa, Hysni Gucati nga OVL-UÇK tha se fjalët janë të pakta të përshkruajnë sakrificën e të vrarëve në këtë ditë.

“Në shumicën e njerëzve kjo është një ditë e zakonshme por jo për banorët e këtij fshati dhe Drenicës. Kjo ditë është e veçantë sepse është një flijim, një sakrificë, heroizmi kombëtar për çlirimin e tokave tona nga pushtuesi serb, rruga e lirësi”, tha Gucati.

Kjo akademi ishte organizuar nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi por as ai as kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ishin prezent.

Ky i fundit nuk ka mundur të shkojë për shkak të seancës së Kuvendit, derisa janë parë të jenë ministra e deputetë.

Në fshatin Poklek i Vjetër, Komuna e Drenasit, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civilë të parmatosur, duke filluar prej foshnjeve gjashtëmuajshe e deri tek pleqtë 75 vjeçar.