Veseli premton 1 milion euro premi për kombëtaren e Kosovës në rast të kualifikimit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar lojtarët e kombëtares së Kosovës gjatë stërvitjes para ndeshjes miqësore me Danimarkën.

Me këtë rast, Veseli përveç që ua ka bërë “për hair’ fanellën e re kombëtares së Kosovës, ka premtuar edhe një premi prej 1 milion euro në rast të kualifikimit për garën Euro 2020.

Po ashtu, Veseli tha se në korrik do të nisë ndërtimi i stadiumit kombëtar, i cili, sipas tij, do të jetë njëri prej më të mirëve në Ballkan dhe Europë.

Kadri Veseli kërkoi nga lojtarët ta bëjnë historinë.

“Heronj të gjallë mundet me pasë më shumë në paqe, e ata jeni ju. Jeni pjesë e historisë. Na keni krenuar me suksesin në pjesën e parë. Tregojeni identitetin tonë të pastër, fer!”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi pasi falënderoi institucionet që sipas tij po bëjnë aq shumë për sportin, tha se do të vazhdojnë rrugën e suksesit.

Në këtë takim me lojtarët dhe përzgjedhësin Challandes ishte edhe ministri i Sportit, Kujtim Gashi.