Furkan Saglik/ Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com

Trajneri turk i vashave të 'Bashkimi'-t tregon çelësin e fitores ndaj KB 'Prishtina'

KB Bashkimi mbrëmë në kategorinë e vajzave në basketboll arriti ta mposhtë Prishtinën në ‘Pallatin e Rinisë dhe Sporteve’ në Prishtinë me rezultat 79-71.

Me këtë fitore, seria e ndeshjeve në fazën finale të play-off-it u barazua në 2-2.

Prandaj, të shtunën në palestrën ‘Sezai Surroi’ në Prizren prej orës 19:00, do të luhet ndeshja e pestë e cila do të jetë vendimtare për kampionin e ri të Superligës së vajzave në basketboll.

KALLXO.com, ka kontaktuar trajnerin e Bashkimit Furgan Saglik, dhe basketbollisten Danisha Shaw.

Trajneri nga Turqia, Furkan Saglik, thotë se çelësi i fitores së mbrëmshme ishte presion i madh që e bënë basketbollistet e tij, duke e detyruar Prishtinën t’i bënte 30 gabime. Ai po ashtu i falënderon basketbollistet e tij, që kanë luajtur sipas udhëzimeve të tij dhe në fund ka dalë të jetë efikas.

“Teknikisht, Prishtina pati 30 gabime, sepse ne bëmë presion në tërë fushën dhe i detyruam në këto gabime. Presioni ishte çelës i suksesit. Në sulm kemi luajtur shpejt dhe kemi qenë efikas në shënime. Lojtarët e mia kanë aplikuar lojën ashtu siç kam kërkuar prej tyre dhe i falënderoj nga zemra, sepse kjo është fitorja e tyre. Ekipi tregoi karakter në fushë dhe e meritoi fitoren”, ka thënë Saglik për KALLXO.com.

Saglik thotë se në ndeshjen e pestë nuk ka favorit, por skuadra e tij do të luftojë në fushë deri në atomin e fundit.

“Ndeshja e pestë do të luhet në Prizren dhe gjithçka nisë nga 0:0. Nuk ka favorit, por të luftojmë dhe t’i tregojmë të gjithëve se si luftohet në fushë me rregulla të basketbollit. Falënderoj edhe ekipin e Prishtinës për mikpritjen dhe iu dëshiroj sukses”, potencon trajneri nga Turqia Furkan Saglik.

Furkan Saglik- Trajner i KB Bashkimit në kategorinë e vajzave. / Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com

Ndërsa basketbollistja amerikane Danisha Shaw, thotë se kanë luajtur me zemer dhe kanë luftuar për çdo top në mënyrë që ta arrinin fitoren.

“Si ekip kemi luftuar të gjitha kemi luajtur me zemër dhe kemi bërë një punë të madhe. Luajtëm mirë në mbrojtje dhe sulm si dhe kërcyem për çdo top. Erdhëm të luajmë si ekip dhe kishim nevojë për fitore, gjë që ia dolëm mbanë. Jam krenare për ekipin, trajnerin, stafin dhe tifozët. I kemi humbur disa beteja, por jo edhe luftën”, thotë basketbollistja nga Amerika Dashnisha Shaw për KALLXO.com.

Sa i përket ndeshjes së pestë e cila zhvillohet në Prizren të shtunën, thotë se e kanë përparsinë e terrenit vendasit, por nuk do të jetë e lehtë për to.

“Tash kemi përparësinë e terrenit në ndeshjen e pestë dhe luajmë në shtëpinë tonë. Nuk do të jetë lehtë, por do të luftojmë sërish”, thekson Danisha Shaw.

 

Danisha Shaw, në pronësi të topit/ Foto: Atdhe Mulla/Kallxo.com