Një ndërtesë 5-katëshe në Shangai 'ecën' në një lokacion të ri

Banorët e Shangait që kalojnë nëpër rrethin lindor të qytetit Huangpu në fillim të këtij muaji mund të kenë rastisur në një pamje të pazakontë: një ndërtesë “me këmbë”, raporton CNN.

Një shkollë fillore 85-vjeçare është ngritur nga toka, në tërësinë e saj, dhe është zhvendosur duke përdorur teknologjinë e re të quajtur “makina e ecjes”.

Në përpjekjen më të fundit të qytetit për të ruajtur strukturat historike, inxhinierët bashkangjitën gati 200 mbështetës të lëvizshëm nën ndërtesën pesëkatëshe, sipas Lan Wuji, mbikëqyrësi kryesor teknik i projektit.

Mbështetësit veprojnë si këmbë robotike. Ata janë të ndarë në dy grupe të cilat ngrihen lart e poshtë, duke imituar hapin njerëzor. Sensorët e bashkangjitur ndihmojnë në kontrollimin e mënyrës se si ndërtesa lëviz përpara, tha Lan, kompania e të cilit ‘Shanghai Evolution Shift’ zhvilloi teknologjinë e re në 2018.

“Është si t’i japësh paterica ndërtesës që të mund të ngrihet në këmbë dhe më pas të ecë”, tha ai.

Sipas një deklarate nga qeveria e rrethit Huangpu, Shkolla Fillore Lagena u ndërtua në vitin 1935 nga bordi komunal i ish-Koncesionit Francez të Shangait. Ajo u zhvendos në mënyrë që të krijojë hapësirë ​​për një kompleks të ri komercial dhe zyre, i cili do të përfundojë deri në 2023.

Projekti shënon herën e parë që kjo metodë e “makinës në këmbë” është përdorur në Shangai për të zhvendosur një ndërtesë historike, bëri të ditur qeveria/CNN/.