Vrasja e para 30 viteve në Deçan, dëshmitari: Viktima ishte i shpuar në disa vende në trup

Avdi Loshaj ka dëshmuar sot në Gjykatën e Pejës në lidhje me vrasjen e vitit 1989 të 25-vjeçarit Zekë Ukaj.

Prokuroria akuzon Hasan Zenelajn se në bashkëveprim më vëllanë e tij, Selim Zenelaj, kishin vrarë Zekë Ukajn.

Hasan Zenelaj ishte dënuar me 11 vite burgim për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Në dëshminë para trupit gjykues dëshmitari Loshaj ka përshkruar se si ditën kritike një person ishte i shtrirë në një ujë dhe dy persona që nuk i njihte kishin pasur armë të ftohta.

“Kur shkova aty të rruga e gjimnazit i kam pa dy djem të rinj ndërsa një person në ujë i shtrirë, ata dy djemtë tjerë janë dalë në breg, ata dytë kanë pasur armë të ftohta, tash nuk di a thikë a shrafciger”, tha dëshmitari Loshaj.

Dëshmitari deklaroi se ai që kishte qenë i shtrirë aty ishte i shpuar në shumë vende në trupin e tij.

“Unë hyra në ujë e rrotullova, e kapa para duarsh, ishte fytyrë e panjohur për mua, ka qenë i shpuar në trup, e ka pasë një maicë të zezë, e kam kap e kam qit në breg, aty m’ka ndihmu dikush”, tha ai.

Në anën tjetër, dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores, tha se nuk e di kush janë dy personat e tjerë që sipas tij kishin pasur armë të ftohta në duar, duke shtuar se kishte dëgjuar që janë nga Strellci.

Nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, iu kërkua dëshmitarit të kthehej dhe të shikonte të akuzuarin Zenelaj, se a e njihte atë.

Dëshmitari pasi u kthye tha se nuk e njeh atë.

“Nuk e njoh, kanë kalu 30 vite, njeri po ndryshon”, tha ai.

Në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Zenelaj, avokati Ramiz Krasniqi, i propozoi Gjykatës që të mbrojturin e tij ta lironte nga masa e paraburgimit ashtu që ajo masë t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Avokati këtë kërkesë e arsyetoi me faktin se i mbrojturi i tij ka nevojë për trajtim jashtë burgut për shkak të problemeve shëndetësore.

Prokurorja Gashi e kundërshtoi këtë propozim.

“E kundërshtoj propozimin për faktin se siç gjykata e ka të ditur i akuzuari këtu ka qenë për 30 vite në arrati dhe i është shmangur organeve të ndjekjes”, tha prokurorja.

Sipas aktakuzës, Hasan Zenelaj në marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e paskrupullt, e kanë vrarë 25-vjeçarin tani të ndjerë Zekë Ukaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas rrahjes që kishte ndodhur më 12 qershor të vitit 1989, mes të akuzuarit dhe vëllait të të ndjerit – Hakiut, Zenelajt e kishin përcjellë të ndjerin, ku pasi i ishin afruar nga prapa, i akuzuari Selim Zenelaj e kishte kapur për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë e kishte goditur me thikë në gjoks.

Dosja e Prokurorisë pretendon se i ndjeri në mbrojte e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj kishin rënë në kanal të ujit, e aty kishte zbritur tani i akuzuari Hasan Zenelaj.

Aktakuza thotë se derisa i dënuari Selim Zenelaj e mbante tani të ndjerin, i akuzuari e kishte goditur me thikë 16 herë në shpinë dhe pjesë tjera të trupit.