Rigjykimi i ish-gjyqtares Safete Tolaj, djalit të saj dhe policit - Foto: KALLXO.com

Mbrohen në heshtje ish-gjykatësja Safete Tolaj, djali i saj dhe polici

Në Gjykatën e Ferizajt sot është mbajtur seanca e radhës e rigjykimit të ish-gjyqtares Safete Tolaj, e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje apo asgjësim i vulave zyrtare, djalit të saj, Fisnik Tolaj, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit dhe falsifikim të dokumenteve dhe policit Granit Shehaj, i cili akuzohet për ushtrim ndikimi.

Në seancën e sotme para trupit gjykues Ibrahim Idrizi, Mustaf Tahiri dhe Kadrije Goga Lubishtani, djali i gjykatëses Safete Tolaj, Fisnik Tolaj vendosi të mbrohet në heshtje pasi që shumicën e veprave i ka pranuar.

Ai tha se nuk ka çfarë të deklarojë. Për këtë tregoi se ishte konsultuar paraprakisht me mbrojtësin e tij, Gëzim Kollqakun.

Edhe ish-gjykatësja Safete Tolaj u mbrojt në heshtje dhe tha se krejt çka ka pasur për të deklaruar e ka deklaruar në seancat e kaluara. Edhe ajo ishte konsultuar me avokatin e saj Kujtim Kërveshin.

Po ashtu, edhe i akuzuari i tretë në këtë rast, polici Granit Shehaj u mbrojt në heshtje.

Fjala përfundimtare për këtë rast u caktua të mbahet më 23 dhjetor.

Hulumtimet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se si gjyqtarja Safete Tolaj dhe djali i saj, Fisniku, kanë kërkuar para nga palët për përshpejtim të lëndëve gjyqësore dhe për vendosje të lëndëve e për ndërrim të masës së sigurisë.

Kujtojmë se Gjykata e Ferizajt më 13 korrik 2018 e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Lirohet ish-gjyqtarja Safete Tolaj, dënohet djali i saj Fisniku

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim duke konsideruar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit Fisnik Tolaj nuk ishte i lartë.

Pastaj Gjykata e Apelit vendosi që lëndën ta kthejë në rigjykim.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me gjykimin e ish-gjykatëses Safete Tolaj, djalit të saj Fisnik Tolaj  dhe policit Granit Shehaj.