Ndryshimi i trupit gjykues, mbrojtja kërkon që shqyrtimi gjyqësor të procedohet nga e para
Në gjykimin ndaj të akuzuarve për rastin e njohur si “Subvencione 2”, në seancën e datës 12.12.2024 mbrojtësit e të pandehurve kanë kërkuar që procedimi i çështjes gjyqësore të fillojë nga e para. Kjo për arsye të ndryshimit të trupit gjykues.
Kjo çështje penale ka filluar rishtazi për arsye të ndryshimit të trupit gjykues.
Në këtë rast të akuzuar për veprat penale, marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhënie ryshfeti e mashtrim me subvencione, akuzohen Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj.
Kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni kërkoi nga palët në procedurë deklarimin e tyre sa i përket procedimit të shqyrtimit gjyqësor, duke thënë se në rastin konkret rasti ka shkuar deri te mbrojtja e të akuzuarve.
Lidhur me këtë prokurori special, Rafet Halimi tha se konsiderojnë se nuk është e nevojshme që të fillohet nga e para, por që i njëjti propozoi që të lexohen të gjitha deklaratat e dëshmitarëve dhe të lexohen të gjitha provat që janë shqyrtuar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.
Ndërsa, lidhur me këtë mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari tha se ky proces gjyqësor para trupit gjykues paraprak nuk ka shkuar siç duhet dhe se në vazhdimësi i kanë paraqitur vërejtjet e tyre.
“Ne vlerësojmë që ky trup gjykues do të ishte mirë që të procedonte nga fillimi këtë çështje duke pasur besim të plotë në gjykimin e drejtë të kësaj çështje”- tha tutje avokati Rudari.
Ndërsa sa i përket dëgjimit të dëshmitarëve, avokati Rudari tha se kërkon mirëkuptimin e gjykatës që t’i jep një afat shtesë ku mbrojtësit do të konsultohen bashkarisht dhe do të vlerësojnë që a ka relevancë që ndonjë nga dëshmitarët të ftohet përsëri në shqyrtim gjyqësor.
Mbrojtësja e të akuzuarit Sadat Shkodra, avokatja Arbnora Zeqiri deklaroi se e mbështet deklarimin e avokatit Rudari që në këtë proces gjyqësor të procedohet sërish me dëgjimin e dëshmitarëve dhe me administrimin e provave.
Tutje, avokatja Zeqiri tha se si mbrojtje nga trupi gjykues paraprak iu është mohuar marrja në pyetje e dëshmitarëve.
Ngjashëm si avokatët më lart për procedimin e kësaj çështje deklaruan edhe mbrojtësi i të akuzuarit Berat Nika, avokati Besim Curri, mbrojtësi i të akuzuarit Rasim Zekaj, avokati Kujtim Kërveshi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hazir Metaj avokatja Blerina Maliqi.
Ndërkaq, gjyqtari Ngadhnjim Arrni mori aktvendim duke obliguar të gjithë mbrojtësit e të pandehurve që në afat kohor prej 3 jave të njoftojnë Gjykatën me parashtresë se cilët dëshmitarë propozojnë që t’i dëgjojnë në këtë shqyrtim gjyqësor dhe arsyet lidhur me këtë çështje.
Paraprakisht në seancë, avokati Kujtim Kërveshi deklaroi se rastin e ka marrë nga kolegët e tij dhe se i njejti i është drejtuar me kërkesë Prokurorisë Speciale, duke i listuar provat që i mungojnë, dhe një kërkesë Gjykatës lidhur me procesverbalet.
Lidhur më këtë prokurori Rafet Halimi tha se prokuroria në çdo kohë ka qenë bashkëpunuese dhe i ka ofruar të gjitha provat mbrojtjes paraprake së të pandehurit Rasim Zekaj.
Tutje, prokurori Halimi tha se prokuroria konsideron që e ka kryer obligimin e saj ligjor dhe se është përgjegjësi e mbrojtjes që në momentin që e revokon autorizimin ta pajisë avokatin tjetër me shkresat e lëndës.
Prokurori Halimi tutje tha se mbrojtja paraprake e të pandehurit Rasim Zekaj para disa muajsh kishin paraqitur kërkesë për fillimin e negocimit për pranimin e fajësisë së të pandehurit Rasim Zekaj, dhe se lidhur me këtë rast ishin mbajtur disa takime.
Prokurori Halimi, ndër të tjera tha se më vonë ishin njoftuar se ishte bërë revokimi i autorizimit nga i pandehuri Rasim Zekaj si dhe kanë pranuar një shkresë nga avokati Kujtim Kërveshi, ku i njëjti ka kërkuar provat.
Tutje prokurori Halimi tha se sipas bashkëpunëtorëve të zyrës avokati Kërveshi është telefonuar disa herë dhe se të njëjti i është dërguar e-mail për t`u paraqitur në Prokurori për t`u pajisur me provat.
Prokurori Halimi, tutje shtoi se janë të gatshëm që ta pajisin avokatin Kërveshi me shkresat e lëndës.
Lidhur me thirrjet e Prokurorisë Speciale për t`u pajisur me prova, avokati Kërveshi tha se ka mundur të jetë në seancë dhe nuk ka qenë i qasshëm për t`u përgjigjur. I njëjti tha se për hir të ekonomizimit të procedurës do të kishte shkuar në Prokurori që t`i marrë provat e kërkuara.
Tutje, avokati Kërveshi tha se sa i përket negocimit të pranimit të fajësisë në mes të mbrojtjes paraprake dhe Prokurorisë Speciale, ky veprim është bërë pa autorizimin e të mbrojturit të tij Rasim Zekaj.
Ndërkaq lidhur me këtë trupi gjykues mori aktvendim duke obliguar Prokurorin Special që të pajisë avokatin Kërveshi me shkresat e lëndës në një afat kohor prej një jave, dhe obligoi avokatin Kërveshi që t’i kërkojë nga mbrojtësit paraprak të të pandehurit Rasim Zekaj që t`i marr nga ta procesverbalet pasi që të njëjtit janë të pajisur me to.
Tutje, trupi gjykues mori aktvendim që shqyrtimi gjyqësor të caktohet për një datë tjetër.
Ndryshe në këtë seancë ishte paraparë të jepen fjalët hyrëse.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për në muajin shkurt 2025.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Ngadhnjim Arrni (kryetar), Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti (anëtarë).
Gjykimi në rastin “Subvencionet 2” po zhvillohet vetëm për pesë të pandehur, përkatësisht: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj, ani pse të akuzuar ishin 15 persona.
Cilat janë pretendimet e Prokurorisë?
Luan Statovci, Blerim Mulliqi akuzohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdim kanë kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.
Sabit Shkodra dhe Berat Nika akuzohen për veprën penale – keqpërdorim i autoritetit apo detyrës zyrtare.
Afrim Mehmetaj akuzohet për veprën penale – dhënie ryshfeti.
Kurse Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj po akuzohen për dy vepra penale – dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.