Foto: Prokuroria e Pejës

Kërkohet paraburgimi ndaj zyrtarit të Komunës së Pejës dhe shtetasit turk që u pajis me dokumente të falsifikuara

Një zyrtar i Komunës së Pejës është arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimet se ka kryer 4 vepra penale, duke regjistruar në mënyrë të kundërligjshme në sistem elektronik të gjendjes civile një shtetas të huaj.

Prokuroria e Pejës ka kërkuar sot nga Gjykata masën e paraburgimit për zyrtarin e Komunës si dhe për shtetasin e huaj turk që ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet si pasaportën, letërnjoftimin dhe patentë-shoferin.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi tha se për zyrtarin e gjendjes civile është kërkuar paraburgimi për falsifikim të dokumenteve zyrtare, ndërsa për shtetasin turk për vepër penale vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes si dhe legalizim i përmbajtjes së rremë.

Për këtë kërkesë të Prokurorisë pritet të vendosë Gjykata e Pejës.

KALLXO.com ka raportuar dje gjatë ditës për arrestimin e zyrtarit të Komunës së Pejës.