Drejtori i Urbanizmit në Pejë dyshohet se bleu banesë nga kompania të cilës ia lejoi mbindërtimin

Dyshimet për afera korruptive dhe konflikt interesi bëjnë pjesë në dosjen voluminoze të prokurorisë për zyrtarët e Komunës së Pejës.

Drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi dhe dy zyrtarë të tjerë, Florije Berisha dhe Bajarm Muslijaj janë të arrestuarit e djeshëm si zyrtarë të kësaj Komune nën dyshimet për korrupsion.

Drejtori Arapi përfundoi nën pranga pasi po dyshohet për tri vepra të keqpërdorimit të detyrës dhe për konflikt interesi.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, drejtori i Urbanizmit dyshohet se kishte blerë banesë nga kompania “Dukagjini”, të cilës i kishte lëshuar leje për mbindërtim edhe pse një leje e tillë nuk parashihet në Ligjin për ndërtimet.

Lejet ndërtimore të lëshuara për mbindërtim sipas prokurorisë nuk parashihen në Ligjin për ndërtim dhe se janë lëshuar në bazë të planit zhvillimor komunal Peja 2020 – 2028, plan i cili akoma nuk është aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përpos lejes për kompaninë “Dukagjini”, dyshimet për keqpërdorim shfaqen edhe për lëshimin e lejes ndërtimore për kompaninë “ART Com” për ndërtimin e objekteve banesore.

Dyshimet për keqpërdorim sipas prokurorisë paraqiten në momentin kur kompania “ART COM” merr leje për ndërtimin me etazhitet 2B+P+6K ndonëse me planin zhvillimor urban për zonën në fjalë parashihej etazhiteti maksimal P+5K.

Përpos kompanive “Dukagjini” dhe “Art Com”, drejtori i Urbanizmit dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij edhe në kohën kur ka lëshuar lejet për kompaninë “El production Sh.P.K”.

Rajan Arapi dyshohet se ka keqpërdorë detyrën e tij dhe ka pasur konflikt interesi në këtë rast ndërsa Florije Berisha dhe Bajram Muslijaj dyshohet për keqpërdorim të detyrës së tyre.

Të tre u arrestuan dje dhe po mbahen brenda stacioneve policore pas një aksioni të gjerë të pesë prokuroreve të Pejës.

Ndaj tyre është kërkuara masa e paraburgimit pasi sipas prokurorisë ekziston dyshimi se të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Përpos zyrtarëve të Pejës të prangosur kanë përfunduar edhe zyrtarë të lartë të komunave si Klina, Deçani dhe Istogu.

Zyrtarët e arrestuar janë Ramë Melaj – drejtori i Urbanizmit në Deçan, Jashar Blakaj – drejtori i Urbanizmit në Istog dhe Lorenc Marleku, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës.

Ata u arrestuan dje në një aksion gjigand të udhëhequr nga prokuroret e Pejës ku përpos tyre u arrestuan edhe zyrtarë të tjerë të këtyre komunave që në total e dërgojnë në 10 numrin e arrestimeve.

Aksioni gjigant në Dukagjin, pesë prokurorë hetojnë ndërtimet pa leje