Boris Millosheviq. Foto: N1

Zyrtari serb i Kroacisë do të marrë pjesë në festimet e “Stuhisë”

Boris Millosheviq, zv/kryeministri i Kroacisë dhe një anëtar i Partisë së Pavarur Demokratike Serbe, SDSS, e cila përfaqëson pakicën serbe të vendit, do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore të 25-vjetorit të “Stuhisë”, operacionit të Ushtrisë Kroate që i dha fund një rebelimi serb në 1995, raporton balkaninsight.com.

Kryeministri Andrej Plenkoviç e konfirmoi këtë vendim pas një takimi me përfaqësuesit e SDSS-së.

“Marrëveshja që kemi sot me SDSS-në dhe përfaqësuesit e pakicës serbe në Kroaci është se ata do të marrin pjesë në atë përkujtimore, që zv/kryeministri Boris Millosheviq do të marrë pjesë, dhe unë mendoj se kjo është diçka e mirë dhe e dobishme kryesisht për marrëdhëniet në shoqërinë kroate, për qëndrimet ndaj pakicës serbe në Kroaci, ndaj së kaluarës së kohëve të fundit”, tha Plenkoviç për televizionin RTL.

Liderët në Serbi u kërkuan përfaqësuesve serbë në Kroaci të mos marrin pjesë në një event që shkaktoi largimin masiv të serbëve nga Kroacia drejt Serbisë.

“Unë nuk mund ta mbështes praninë e njerëzve tanë në festën e “Stuhisë”. Por nuk do t’i akuzoj ata si tradhtarë. Do të përpiqem ta kuptoj, nëse ata e marrin një vendim të tillë dhe përse e kanë marrë këtë vendim”, tha të mërkurën e javës së kaluar presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq tha se ai e konsideronte “të papërshtatshme ta diskutonte këtë temë”. Ai shtoi: “Kroacia ka nevojë për falje nga serbët dhe legalizim të “Stuhisë”.”

Operacioni ushtarak i ushtrisë dhe policisë kroate më 4 gusht 1995 rimori nën kontroll territorin e marrë disa vjet më parë nga serbët rebelë që kishin shpallur shtetin e tyre, Republikën e Krajinës Serbe, RSK.

Kur Ushtria Kroate rihyri përsëri në territor, rreth 200,000 njerëz u larguan drejt Republikës Srpska dhe Serbisë, në një kolonë të gjatë me traktorë, autobusë dhe makina.

Disa ditë para vendimit, Millosheviqi u tha mediave se ai nuk mund të harronte viktimat e pafajshme të “Stuhisë”, shtëpitë e djegura dhe eksodin e njerëzve. “Por unë jam i hapur ndaj çdo lloj gjesti që mendoj se do të përmirësonte statusin e komunitetit tim”, tha Millosheviq.

Shënimi i operacionit të vitit 1995 mbetet një temë e hidhur debati midis Serbisë dhe Kroacisë. Serbia gjithashtu e përkujton atë, por si një ditë zie. Ndërsa festimi kryesor kroat zhvillohet në ish-kryeqytetin rebel serb të Kninit, Dalmaci. Këtë vit eventi në Beograd u anulua për shkak të situatës së COVID-19 në vend.