Zvarriten punimet në rrugën ‘Nazim Gafurri’ në Prishtinë

Ka disa muaj që ka filluar rregullimi i rrugës ‘Nazim Gafurri’ në kryeqytet.

Kjo rrugë gjendet në lagjen ‘Taukbahqe’ dhe është shumë e frekuentuar pasi është në drejtim të parkut ‘Gërmia’.

Punimet në këtë rrugë Komuna e Prishtinës i ka filluar që disa muaj por ende nuk kanë përfunduar.

Aty, sipas banorëve, punohet herë pas here.

Kadri Hasangjekaj është banor i kësaj ane të Prishtinës. Ai çdo ditë e frekuenton këtë rrugë dhe për KALLXO.com tregon problemet që po iu shkakton gjendja e rrugës.

“Qe dy muaj kanë fillu punimet, edhe i kanë ‘qaravesh’ rrugët, edhe te ne atje në lagje, edhe këtu edhe në të gjitha anët. Një firmë me katër-pesë punëtorë. Ska që del prej pluhurit, unë nuk e di se çka u bo kështu. Komuna e sheh vet se çka është ka bohet, tre punëtorë rrijnë këtu sot, tani shkojnë nesër në tjetër rrugë, tani në tjetër rrugë”.

“Vazhdojnë herë pas here, shaktat i ndreqi atje në rrugën ‘Xhavit Ahmeti’, pas dy ditëve prishen shaktat. Pluhuri, skemi ku të dalim prej pluhurit”.

Në lidhje me këtë rrugë në përgjigjen me shkrim, Komuna e Prishtinës ka ofruar një kontratë për ndërtimin e infrastrukturës në lagjet Përroi i Njelmët, Tasligje, Qendresa, Kolovicë, Emshir dhe Mati 1.

Në përgjigje, Komuna nuk ka dhënë informata se a përfshihet rruga ‘Nazim Gafurri’ në këto punime dhe nuk ka ofruar sqarime se pse po zvarriten punimet.

Në kontratën e ofruar, data e nënshkrimit të kontratës është 13 gusht i këtij viti, ndërsa afati për përfundimin e punëve është 90 ditë kalendarike.