Zgjerohet harta me të prekur me coronavirus në Kosovë, tash edhe në Pejë

Numri i të prekurve me coronavirus është rritur në 79. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se vetëm sot tetë raste të reja janë konfirmuar me coronavirus.

Një rast i ri është lajmëruar në fshatin Llugagji të komunës së Pejës. Katër raste kontakti kanë dalë pozitiv në Studime të Ulët në Vushtrri dhe tre raste të tjera në Prishtinë.

Sot me 26.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tetëdhjetë e nëntë (89) mostra të marra nga rastet e kontakteve në terren si dhe të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot kemi lajmin e mirë se një pacient është i shëruar bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore.

Rastet e konfirmuara pozitive janë 4 raste kontakti me vendbanim në Studime të ulët Vushtrri, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast kontakti me vendbanim në Llugagji-Pejë.

Nga data 08.02.2020 deri me 26.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 855 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç. Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 1514 kontakte të rasteve.