Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Zgjedhjet në Parlamentin Europian, Konjufca u bën thirrje diasporës që të votojnë kandidatët shqiptarë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ka bërë thirrje diasporës që të votojnë kandidatët shqiptarë në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Konjufca ka thënë se shqiptarët me të drejtë vote në vendet e BE-së, duhet të dalin e të votojnë për partitë proeuropiane.

“Shumë shqiptarë që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së duhet të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proeuropiane, por në veçanti t’i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglen e shumë partive europiane. Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona” – ka shkruar Konjufca.

Ai ka thënë se duke votuar këta kandidatë, shqiptarët do të dërgo0jnë në Parlamentin Europian përfaqësues që do mbrojnë vetë parimet dhe intereset e Europës, sepse sipas tij “proeuropianizmi i shqiptarëve është në natyrën tonë kombëtare”.

Tutje, kryetari Konjufca ka thënë se në këto zgjedhje nuk do të zgjedhën vetëm përfaqësuesit e qytetarëve të shteteve anëtarë në parlament, por sipas tij, do të dëshmohet edhe vendosmëria e Europës në mbrojtjen e vlerave të saj fundamentale, të cilat po kërcënohen nga pushtimi rus në Ukrainë.

“Prandaj, këto zgjedhje janë zgjedhje historike dhe do të mund të determinojnë të ardhmen e BE-së mbase edhe në dekadat në vijim. Një Bashkim Europian unik në mbrojtjen e vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe dinjitetit të popujve dhe shteteve do të jetë arma më e fortë kundër Rusisë pushtuese dhe ideologjive fashiste” – ka shkruar ndër të tjera Konjufca.