Zëvendëskryeministri Bislimi vetë i 9-ti në Bruksel, këto janë temat e diskutuara me delegacionin serb

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, në takimet e zhvilluara në Bruksel gjatë këtyre dy ditëve, ka qenë i shoqëruar nga nga ekip i përbërë prej 8 zyrtarëve.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Kaltrina Zeka, shefe e kabinetit të zëvedëskryeministrit Bislimi.

“Në kuadër të takimeve dyditore në Bruksel me z. Lajçak dhe ekipin e tij, si dhe delegacionin serb, Zëvendës Kryeministri i Parë i Republikës së Kosovës ka qenë i shoqëruar nga një ekip i përbërë nga 8 zyrtarë dhe ekspert të fushave të ndryshme që prekin temat e dialogut. Nga grupi i ekspertëve në këtë vizitë ka qenë i pranishëm vetëm Leon Malazogu”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka treguar edhe për temat të cilat janë diskutuar mes palës kosovare dhe asaj serbe.

“Tematika kryesore e takimeve ka qenë shqyrtimi i implementimit të marrëveshjeve të deritanishme në dialog, ku janë prekur thuajse të gjitha temat të cilat janë pjesë e këtyre marrëveshjeve”, tha ajo.

Gjatë ditës së djeshme në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, zëvëndëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.