‘Heshtja’ e Qeverisë për takimin e Besnik Bislimit në Bruksel

Që më shumë se 48 orë, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi është duke qëndruar në Bruksel, duke zhvilluar takime në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Mirëpo, deri më tani Qeveria e Kosovës e as vet Bislimi nuk kanë dhënë informacione të detajuara se cilat kanë qenë temat e diskutimit dhe çfarë ka ndodhur në takimet në Bruksel, përvec disa deklaratave të shkurta.

Qeveria e Kosovës përmes një memorandumi të nënshkruar mes qeverisë, Grupit për Ballkan dhe Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë janë dakroduar që në kuadër të procesit të dialogut të angazhohen disa ekspertë kosovarë që do t’i ndihmojnë ekipit të Kosovës në procesin e dialogut.

Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa e Veton Surroi.

KALLXO.com ka kontaktuar me Robert Muharremin dhe Muhamet Mustafën. Të njëjtin e kanë konfimruar se nuk janë ftuar për të qenë bashkë me Bislimin në Bruskel.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë Përparim Kryeziu. I njëjti nuk është përgjigjur në pyetjen se nëse ndonjëri nga ekspertët e angazhuar janë duke e shoqëruar Besnik Bislimin në Bruksel.

Pytjeve të redaksisë nuk i janë përgjigjur as kabineti i Besnik Bislimit. KALLXO.com ka kontaktuar kabinetin e zëvendëskryeministrit Bislimi për të marrë informacione për temat e trajtuara si dhe përbërjen e ekipit, mirëpo përgjigjet për këtë çështje kanë munguar.

Takimi i Brukselit është ndërmjetësuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Për këto takime, nuk janë bërë publik as shoqëruesit e kryenegociatorëve e as temat e tyre.

Informacionet e vetme për këto takime janë disa cicërima në Twitter të emisarit Lajçak.

I dërguari i posaçëm i BE-së për çështjen e dialogut, Mirosllav Lajçak, fillimisht kishte zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin Bislimi, me ç’rast kishe potencuar që asgjë në dialog nuk është teknike, por politike.

“E mirëprita Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës për diskutime sot para takimit të dialogut në nivelin e kryenegociatorëve nesër. Gjithçka në bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është  politike, asgjë s’është teknike”, kishte shkruar Lajçak në Twitter.

Një takim të ndarë, në mëngjesin e djeshëm, emisari i BE-së e kishte zhvilluar edhe me drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, takim të cilin e kishte vlerësuar si të dobishëm.

“Pas takimit të djeshëm me delegacionin e Kosovës, këtë mëngjes kam pasur një diskutim të dobishëm me Petar Petkovic, kryenegociatori serb. Më vonë, unë do të ulem me dy Palët për të biseduar rreth çështjeve aktuale dhe përgatitjes për një takim të ardhshëm të liderëve.”, ka shkruar ai në Twitter.

Temat e ‘vjetra’ në dialogun e ri

Mesditën e djeshme, emisari Lajçak i kishte ulur në tavolinë, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe kryenegociatorin serb Petkoviq.

Pas këtij takimi palët akuzuan njëra tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryenegociatori, Besnik Bisilimi në një prononcim për REL, pas përfundimit të takimit ka thënë se në takim ka përmendur marrëveshjet për të cilat pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet.

“Ne kemi parashtruar ato vërejtje për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, për shembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, ka thënë Bislimi.

Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ka kërkuar nga pala kosovare zbatimin e marrëveshjes së asociacionit.

“Ne u kemi thënë atyre se Asociacioni është kusht mbi kushtet nëse duam të ecim tutje. Asociacioni nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë vetëm provë se sa i nevojshëm është formimi i tij”, tha Petkoviq.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe (ASM) paraqet gur themelin e marrëveshjes 19 Prill 2013, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij. Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan në Bruksel lidhur me një varg parimesh dhe elementesh kryesore të Asociacionit, mirëpo Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se disa nga pikat kësaj ujdie janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Pas takimit, emisari Miroslav Lajçak tha që kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në këtë proces.

“Diskutimet të gjerë për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Asociacioni si ‘krye temë’ e bisedimeve

Analisti politik, Behlul Beqaj në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se asociacioni do të jetë tema me të cilën pala serbe do të mundohet të ‘fitoj’ ndaj Kosovës.

“Pushteti serb e ka kuptuar mosgatishmërinë e palës kosovare për te implementuar AKS si obligim te trashëguar, prandaj , po insiston ne implementimin e Marrëveshjes se ratifikuar. Arsyeja është e thjeshte, Serbia dëshiron te fajësoj Kosovën për mos kooperim , asnjë arsyetim për shmangie nga vazhdimi dialogut nuk e justifikon Qeverinë Kurti”, tha ai.

Sipas Beqajt, Kosova duhet të ndryshoj qasjen karshi dialogut në mënyrë që të ketë sukses në këtë proces.

“Kosova duhet te kooperoj dhe koordinoj takimet brenda dhe jashtë për te kaluar nga defensiva e trashëguar ne ofensive diplomatike duke promovuar  superioritetin e argumenteve ne dialog karshi Serbisë. Nuk mund te diskutojmë për “statusin e marrëdhënieve”  pa e njohur Serbia statusin e shtetit te pavarur të Kosovës”, ka thënë ai.

Për Beqajn, ‘nuk janë aq me rendësi përfaqësuesit sa është me rendësi përmbajtja e përfaqësimit’.

“ Deklarimet publike te deritanishme  vetëm sa po e ushqejnë  politikën serbe qe po e përdor dialogun për konsum  te brendshëm ne Serbi dhe për te vazhduar mbështetjen ndërkombëtare regjimi i Aleksander Vuciqit ?! Por , me duket se nuk është racionale te mbetemi ne defensive diplomatike për shkak te ambicieve joreale”, ka thënë ai.

Takimi i djeshëm është takimi parë, pas takimit të kryeministrit, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që e patën muajin e kaluar.

Takimet e djeshme, mes palëve negociuese vinë pas takimeve të cilat , Aleksandar Vuçiq, më 15 qershor.

Një takim Kurti-Vuçiq është paralajmëruar edhe në fund të muajit korrik, por nuk ende nuk është saktësuar data.