Zemaj e vendos Lul Rakën në krye të Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj sot ka themeluar Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19.

Sipas Zemajt, këtë bord do ta udhëheqë mikrobiologu Lul Raka, ndërsa do të jenë edhe 11 profesionistë shëndetësor.

“Një elitë mjekësh, studiuesish, shkencëtarësh dhe figurash profesioniste me profil të lartë të fushave të ndryshme do të përbëjnë këtë bord prej njëmbëdhjetë anëtarësh. Këta vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Zemaj.

Sipas tij, ky bord nuk do të jetë dekor, por do t’i ofrojë Ministrisë këshilla profesionale kurse të gjitha propozimet do të vlerësohen dhe rekomandohen edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike/ IKSHP sipas legjislacionit në fuqi.

“Bordi nuk do të jetë vetëm si dekor në këtë luftë, por organ profesional këshillimor për Ministrin e Shëndetësisë. Do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e Covid19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të Covid19”, përfundon njoftimi i Zemajt.