Zelenskiy bën thirrje për furnizim më të shpejtë me armë

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. 

Zyrtarët perëndimorë pohuan se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945. 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 6.8 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga dhjetori 2022.

Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit. 

Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Granatimet ruse të zonave të banuara në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, lanë të paktën tre persona të vdekur dhe pesë të plagosur, thonë autoritetet e atjeshme lokale. Administrata ushtarake rajonale Kherson tha në kanalin e saj Telegram se forcat ruse shënjestruan një spital, shkollë, stacion autobusi, zyrë postare, bankë dhe ndërtesa banimi në një sulm të dielën.

Një raketë ka goditur një ndërtesë apartamentesh në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, duke vrarë një person dhe duke plagosur të tjerë.

Ushtria e Ukrainës dhe grupi ushtarak privat i Rusisë Wagner po pretendojnë se kanë kontroll në zonën e Blahodatne, rajoni lindor i Donetskut. Grupi Wagner, i përcaktuar nga SHBA si një organizatë kriminale transnacionale, ka thënë në aplikacionin e mesazheve Telegram të shtunën se njësitë e saj kishin marrë kontrollin e Blahodatne.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka dhënë sinjale se Turqia mund të pajtohet që Finlanda t’i bashkohet NATO-s pa Suedinë, në mes të tensioneve në rritje me Stokholmin. “Ne mund t’i dërgojmë Finlandës një mesazh tjetër [për aplikimin e tyre në NATO] dhe Suedia do të tronditet kur ta shohë mesazhin tonë. Por Finlanda nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim që bëri Suedia”, tha Erdogan në një fjalim televiziv të transmetuar të dielën. Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t’u anëtarësuar në NATO dhe kanë nevojë për miratimin e të gjitha vendeve anëtare për t’u anëtarësuar. Turqia dhe Hungaria po rezistojnë tani për tani.

Vladimir Putin ishte i hapur për të kontaktuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, megjithëse nuk ishte planifikuar asnjë telefonatë, thotë një zëdhënës i Kremlinit për agjencinë shtetërore të lajmeve Ria Novosti. Scholz tha për të përditshmen e Berlinit Tagesspiegel se “do të flasë me Putinin përsëri – sepse është e nevojshme të flasim”.

Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë janë të angazhuar në bisedime “të shpejta” mbi mundësinë e pajisjes së Ukrainës me raketa me rreze të gjatë dhe avionë ushtarakë, tha një ndihmës i lartë i presidentit të Ukrainës. Mykhailo Podolyak tha se mbështetësit e Ukrainës në perëndim “e kuptojnë se si po zhvillohet lufta” dhe nevojën për të furnizuar avionë të aftë për të siguruar mbulim për automjetet e blinduara që SHBA dhe Gjermania i kanë premtuar.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thuhet se po i kërkojnë Pentagonit ta furnizojë Ukrainën me avionë F-16, në mënyrë që ajo të jetë më në gjendje të mbrohet nga raketat dhe dronët rusë.

Olaf Scholz e ka përsëritur të dielën se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë. “Unë vetëm mund të këshilloj që të mos hyni në një luftë të vazhdueshme ofertash kur bëhet fjalë për sistemet e armëve”, tha Scholz në një intervistë për gazetën Tagesspiegel. “Nëse, sapo të merret një vendim [për tanket], debati tjetër fillon në Gjermani, kjo nuk duket aq serioze dhe minon besimin e qytetarëve në vendimet e qeverisë”.

Ministria e Arsimit e Rusisë ka dhënë detaje të mëtejshme mbi planet për ta përfshirë trajnimin bazë ushtarak në shkollat e mesme, sipas inteligjencës britanike. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar (MM) tha të dielën se moduli “do të përfshijë stërvitje me pushkë sulmi dhe granata dore të serisë AK, stërvitje ushtarake dhe salutime”. Kjo ministri shtoi se nismat, që do të hyjnë në fuqi në shtator, ishin me shumë gjasa një “evokim i qëllimshëm i Bashkimit Sovjetik” pasi trajnime të ngjashme u zhvilluan në shkolla deri në vitin 1993.

Volodymyr Zelenskiy e ka rritur fushatën e tij për t’i mbajtur atletët rusë jashtë Lojërave të Parisit 2024. Presidenti i Ukrainës tha se i ka dërguar një letër Emmanuel Macron dhe lejimi i Rusisë të konkurrojë në këto lojëra do të ishte e barabartë me të treguarit se “terrori është disi i pranueshëm”.

Ukraina ka vendosur sanksione kundër 182 kompanive ruse dhe bjelloruse, dhe tre individëve, në të fundit nga një seri hapash për t’i bllokuar lidhjet e Moskës dhe Minskut me Ukrainën. Kompanitë e sanksionuara kryesisht angazhohen në transportin e mallrave, dhënien me qira të automjeteve dhe prodhimin e kimikateve, sipas listës së publikuar nga këshilli kombëtar i sigurisë dhe mbrojtjes së Ukrainës./The Guardian

 

Përgatiti: Nuhi SHALA