Yll Rugova merr detyrën e zëvendësministrit të Kulturës

Yll Rugova mori sot zyrtarisht detyrën e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai është pritur nga ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi me rastin e marrjes së detyrës.

MKRS përmes një komunikate pë media, ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi, Dumoshi e Rugova biseduan për ndarjen e përgjegjësive dhe bashkërendimin e punëve në ministri.

“Ministrja Dumoshi e njoftoi zëvendësministrin Rugova për programin dhe synimet që pritet të realizohen prej MKRS-së gjatë këtij mandati e veçanërisht për aktivitetet e punët që synohen që të arrihen gjatë këtij viti. Ministrja Dumoshi tha se është një fat për ministrinë që ka ardhur në pozitën e zëvendësministrit një person si z. Rugova i cili i njeh fushat me të cilat merret MKRS-ja, pasi që ka qenë drejtor për kulturë, rini dhe sport në Komunën e Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, po sipas komunikatës së MKRS-së, zëvendësministri Rugova shprehu  gatishmërinë e tij për angazhim maksimal për të plotësuar nevojat dhe arritur pritshmëritë që janë vënë si synim në avancimin e kulturës, rinisë, sportit e trashëgimisë.

Një ditë më parë, Yll Rugova nga LVV është emëruar zv/ministër i MKRS-së nga kryeministri Albin Kurti.