Vushtrria pritet të bëhet me fabrikë të përpunimit të peshkut

Në qytetin e Vushtrrisë brenda gjashtë muajsh pritet të nisin ndërtimet e fabrikës së përpunimit të peshkut.

Kështu bëri të ditur Latif Resyli, përfaqësues i Emona Sh.P.K, njëra ndër kompanitë investitore.

Ata në bashkëpunim me “Conex” nga Kroacia priten të krijojnë rreth 500 vende pune deri në fund të projektit, i cili do të kushtojë rreth 7 milionë euro.

Komuna e Vushtrrisë u dha dritën e gjelbër këtyre dy kompanive, për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale.

Gresa Muli, antare e komisonit për dhënie të pronave komunale në Vushtrri nga Lëvizja Vetëvendosje tha për KALLXO.com se ky projekt pritet të jetë profitabil për Vushtrrinë, për shkak të numrit të madh të qytetarëve që do të punësohen.

Muli gjithashtu tha se si grup kuvendar kërkojnë që në kontratë të ceket që nëse projekti nuk implementohet pa arsyeje brenda dy viteve,ndryshohet destinimi apo numri i punëtorëve, prona t’i kthehet komunës.

Ndërkaq Kushtrim Hyseni, ansambleist nga rradhët e PDK në Vushtrri tha se serioziteti i  kompanive i ka shtyrë ata si parti që ta përkrahin këtë propozim nga kryetari Xhafer Tahiri.

“Emona Group e dimë që ëshë kompani shumë serioze edhe për kompaninë kroate kemi marrë të dhëna, dalin të jenë shumë serioz. Pa dyshim ne si PDK jemi pro hapjes së kesaj fabrike ku do të punësohen 400/500 punëtorë”, tha Hysenaj.

Ky projekt pritet që në fazën fillestare të punësojë deri në 207 punëtorë që priten kryesisht të jenë gra.

Lokacioni i fabrikës do te jetë fshati Gracë.

Të hënën u mbajt seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga kryetari i komunës Xhafer Tahiri për diskutimin për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale kompanisë Emona shpk dhe “Conex”nga Kroacia dhe bashkëpunëtorëve spanjoll të tyre.

Të gjithë ansamblistët votuan pro këtij propozimi. Toka i jepet në shfrytëzim kompanive për 40 vitet e ardhshme me pagesë vjetore prej 300 euro për hektarë.