Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe mandatari për formimin e Qeverisë së re serbe, Gjuro Macut, Foto: Aleksandar Vuçiq/Facebook

Vuçiq mandaton endokrinologun, Gjuro Macut për formimin e Qeverisë

Endokrinologu Gjuro Macut është mandatari i ri për formimin e Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të dielën, më 06.04.2025.

Vuçiq tha se Qeveria e re serbe do të zgjidhet më 18.04.2025.

Mjeku Gjuro Macut ka përfunduar specializimin në endokrinologji. Është shef i repartit për tumoret e sistemit endokrin në Klinikën e Endokrinologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Serbisë.

“Dr. Gjuro Macut, një njeri jashtëzakonisht i guximshëm, shumë i qetë, i matur, tolerant, i durueshëm dhe ndoshta specialisti më i madh në fushën e endokrinologjisë nga Vjena deri në Stamboll”, tha Vuçiq.

Presidenti serb më herët ka zhvilluar konsultime me partitë parlamentare për mandatarin e qeverisë së re, të cilat kanë filluar më 02.04.2025.

Opozita parlamentare kishte paralajmëruar më parë se nuk do të merrte pjesë në këto konsultime. Ata kishin propozuar formimin e një qeverie kalimtare, propozim që është refuzuar nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi.

Pas konsultimeve të 03.04.2025, kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, tha se koalicioni i mbledhur rreth SNS-së konsideron se nuk duhet të shpallen zgjedhje të reja, por duhet të formohet një qeveri e re.

Ai deklaroi se do t’i propozonte presidentit të Serbisë dy kandidatë për mandatar.

Gjatë konferencës në Beograd ku njoftoi për mandatarin e Qeverisë së re serbe, njoftoi po ashtu se do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në SHBA, me gjasë në fillim të majit.

Ndryshe, Qeveria e Serbisë është në mandat teknik që nga 19.03.2025, kur deputetët në Kuvend miratuan dorëheqjen e Vuçeviqit nga posti i kryeministrit, me ç’rast ka filluar afati prej 30 ditësh për zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

Vuçeviq e kishte dhënë dorëheqjen një muaj e gjysmë më herët, pas rrahjes së një grupi studentësh nga aktivistët e Partisë Progresive Serbe, të cilët po bllokonin punën e fakulteteve në Novi Sad.

Rënia e Qeverisë së Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviq, ndodhi në kulmin e protestave kundër pushtetit, të udhëhequra nga studentët. Studentët protestues që nga fundi i nëntorit 2024 kanë bllokuar dhjetëra fakultete në mbarë Serbinë.

Në fokus të kërkesave të tyre, të adresuara institucioneve të Serbisë, është përcaktimi i përgjegjësisë juridike dhe politike për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, më 01.11.2024./REL