Vrasja në Fushë Kosovë - Dyshohet se viktima 72 vjeçar u vra nga djali i moshës 40 vjeçar

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka dhënë detaje për vrasjen në Fushë Kosovë për të cilën dyshohet je djali me probleme mendore ka vrarë babain e tij.

Hoxha në një prononcim për media nga vendi i ngjarjes ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 16:50, duke shtuar se reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm duke arrestuar të dyshuarin të moshës 40 vjeçare.

“Fal reagimit të shpejtë të njësiteve të Policisë së Kosovës, mund të them se në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar rreth 40 vjeçar dhe policia me njësitet e saj është duke i kryer të gjitha procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat të tjera që lidhen me rastin në fjalë”, tha Hoxha.

Zëdhënësi i Policisë konfirmoi se viktima ka qenë rreth 72 vjeçar dhe vrasja ka ndodhur më një mjet të mprehtë.

“Sipas informacioneve fillestare mosha e viktimës është rreth 72 vjeçar, dhe ekziston dyshimi fillestar se viktima dhe i dyshuari janë në lidhje familjare. Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë dhe janë duke u kryer hetime intesive për të sqaruar rrethanat. Dyshohet që në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë është përdorur një mjet i mbrehët”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar se një vrasje e rëndë ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në qytetin e Fushë Kosovës. Siç merr vesh KALLXO.com, djali dyshohet se e ka vrarë babanë e tij.