Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vlera e donacioneve që i raportoi LVV për fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021 për Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se ka marrë donacione dhe kontribute në të holla, në vlerë prej 170 mijë e 524 euro e 66 cent.

Sipas raporteve financiare për subjektet politike të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LVV këto donacione i ka raportuar për periudhën 7 janar 2021 deri më 14 shkurt 2021.

Në këtë raport, përveç donacioneve në të holla, LVV ka deklaruar se ka marrë donacione për kontributet në natyrë, mall dhe shërbime në vlerë prej 25 mijë e 694 euro e 38 cent.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, vlera totale e donacioneve për LVV-në arrin vlerën e rreth 196 mijë e 219 euro.

Këto të dhëna janë bërë publike në raportet financiare për subjektet politike të publikuara nga KQZ-ja.

Raportin financiar të fushatës së zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021 mund ta shihni të detajuar në këtë LINK.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 50% të votave.