Vladimir Voronin – relikui sovjetik që synon një fillim të ri në politikë

Vladimir Voronin është deri tani politikani më me përvojë në Moldavi. Ai është gjithashtu më i moshuari, pasi këtë pranverë mbushi 80 vjeç.

Kjo mund të shpjegojë pse një nga revistat më të njohura në vend, VIP Magazin, kohët e fundit e quajti atë “Njeriu i Shekullit në Moldavi”.Afër ideologjisë sovjetike në të cilën ai u rrit gjatë kohës së Moldavisë në BRSS, si president ai e drejtoi Moldavinë me një grusht të hekurt për dy mandate në vitet 2000.

Voronin e kujton atë kohë me krenari. “Ata folën për punën që bëra gjatë kohës që isha president”, tha ai në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. “Nga larg, ju mund ta shihni atë më qartë. Kjo është ndoshta arsyeja pse ata erdhën në këtë përfundim për të më dhënë këtë çmim.”

Pavarësisht moshës së tij, sot ai po përgatitet për një nisje të re në skenën politike.

Në garën e hershme parlamentare të planifikuar për më 11 korrik, të cilën forcat pro-perëndimore shpresojnë ta fitojnë, ai po kandidon me ish-presidentin dhe udhëheqësin e Partisë Socialiste, Igor Dodon, si dhe me oligarkun e arratisur, Vladimir Plahotniuc.

Aleancë e forcave shoqërore konservatore

Vladimir Voronin (majtas) shtrëngon duart me Igor Dodon (djathtas) pasi kanë lidhur një aleancë politike. Foto: Facebook/Igor Dodon

Këtë muaj, Voronin dhe Dodon, një tjetër ish-president me lidhje moskovite, shtrënguan duart në atë që dukej si një mision për të krijuar një bllok të ri pro-rus në të majtë.

Të dy burrat nënshkruan një dokument më 12 maj për të kandiduar së bashku në zgjedhjet e korrikut, në atë që Dodon tha se do të simbolizonte unitetin e partive të krahut të majtë, por konservatore dhe anti-perëndimore.

“Faktorët e huaj, me ndihmën e instrumenteve të tyre politikë në Kishinau, duan t’u imponojnë qytetarëve një grup pseudo-vlerash, anti-familjare, antikristiane dhe të papërshtatshme për kombin tonë”, deklaroi Dodon.

Duke përdorur fjalorin e “fortesës së rrethuar” të zakonshëm në ligjërimin politik rus, Dodon akuzoi fuqi pa emër perëndimore se kishin për qëllim eliminimin e identitetit të Moldavisë, ndalimin e gjuhës moldave dhe transformimin e Moldavisë në një koloni të Perëndimit dhe të Rumanisë fqinje.

Voronin i bëri jehonë kësaj retorike, duke paralajmëruar në mënyrë raciste në televizion se një pushtim i NATO-s mund të sjellë lindjen e moldavëve “me lëkurë të errët”, me sa duket të lindur nga përdhunimi.

Në një emision të drejtpërdrejtë të transmetuar nga TVC21 më 14 maj, ai pyeti: “Kjo është ajo që dëshironi, të dashur votues, kur votoni për parlamentin? Që ushtarët e NATO-s të vijnë këtu dhe të kenë fëmijë me lëkurë të errët, jo me lëkurë të bardhë? Kjo është ajo që dëshironi? Dhe, pas tyre, të vijnë xhandarët rumunë?”

Nacionalistët rumunë kanë pretendime mbi Moldavinë, e cila ishte pjesë e Rumanisë midis dy luftërave botërore.

Rrëzuar nga revolucionarët në Twitter

Të rinjtë moldavë duke u përplasur me policinë gjatë një tubimi anti-komunist në Kishinau, Moldavi, 7 prill 2009. Foto: Agerpres/Cornel Ciobanu

Voronin e nisi karrierën në politikë gjatë epokës sovjetike në vitet 1970 kur partia e vetme e lejuar politike ishte Partia Komuniste e Moldavisë, në atë kohë republikë e Bashkimit Sovjetik.

Ai më vonë u diplomua në Akademinë e Shkencave Sociale nën Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në 1983 dhe më pas në Akademinë e Ministrisë së Brendshme të BRSS në 1991.

Në vitet 1980, ai filloi të ngjitej në hierarkinë e partisë. Midis 1989 dhe 1990, ai ishte ministër i brendshëm, me gradën ushtarake të Gjeneral Majorit.

Pasi i mbijetoi rënies së Bashkimit Sovjetik dhe pavarësinë e Moldavisë në 1991, në vitin 1993 ai u bë bashkëkryetar i Komitetit Organizativ të partisë. Një vit më vonë, ai u zgjodh Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Moldavisë.

Në mars 1998, ai u zgjodh deputet në parlament, i cili më pas e zgjodhi president të Moldavisë më 4 prill 2001. Ai shërbeu për dy mandate, deri më 11 Shtator 2009.

Episodi kryesor në rënien e tij politike ishte i ashtuquajturi Revolucion i Tëitter, i cili filloi më 7 prill 2009, kur ish-gjenerali i policisë urdhëroi arrestimin masiv të të rinjve që protestonin kundër presidencës së tij dhe që kërkonin një rrugë më evropiane për Moldavinë.

Mijëra të rinj, disa vetëm adoleshentë, u ndaluan, rrahën dhe madje u torturuan në bodrumet e rajoneve të policisë në kryeqytetin Kishinau. Disa vdiqën nga keqtrajtimi. Autoritetet u përpoqën të mbulonin gjurmët, pasi policia dhe shërbimet sekrete i rrahën ata për vdekje.

Marrëdhënie dashuri-urrejtje

Aleanca Socialist-Komuniste duket se favorizon Voronin dhe Partinë e tij të zbehur Komuniste, tani më e dobëta nga të dyja dhe në nivelin më të ulët që nga themelimi i saj.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 24 shkurt 2019, Komunistët morën 3.8 për qind të votave, jo mjaftueshëm sa për të kapërcyer pragun e 6 për qind dhe për të hyrë në parlament.

Analistët politikë në Moldavi thanë për BIRN se aleanca është një aleancë e forcave të vjetra kleptokratike, të cilat kanë qëndruar pezull dhe e kanë mbajtur vendin të robëruar për gati tre dekada që nga pavarësia e tij nga BRSS në 1991.

Gjatë dy dekadave të fundit, mediat kanë publikuar dhjetëra investigime në lidhje me interesat e biznesit të familjeve Voronin dhe Dodon.

Marrëdhëniet personale të Voronin me Dodin janë shumë komplekse dhe jo të gjithë binden nga sinqeriteti i aleancës së tyre të re.

Deutsche Ëelle publikoi një lajm me titullin: “Moska ka bashkuar Dodon dhe Voronin, dy liderë të dështuar që urrejnë njëri-tjetrin dhe i frikësohen elektoratit.”

Ishte Voronin ai që futi Dodon në skenën politike më shumë se 20 vjet më parë.

Megjithatë, Dodon më pas e tradhtoi Voronin dy vjet pas revoltës në Tëitter, në nëntor 2011, duke lënë Partinë e tij Komuniste dhe duke e ndarë atë.

Më 4 nëntor 2011, Dodon dhe dy deputetë të tjerë komunistë njoftuan largimin e tyre nga Partia Komuniste e udhëhequr nga Voronin.

Menjëherë pas kësaj, ta të tre votuan në parlament së bashku me partitë pro-evropiane për të zgjedhur pro-evropianin Nicolae Timofti si president të Moldavisë.

Menjëherë pasi Dodon u largua nga partia, shumica e deputetëve të tjerë komunistë u larguan gjithashtu, duke lëvizur ose në Partinë e re Socialiste të Dodon ose duke përforcuar Partinë Demokratike të oligarkut Vlad Plahotniuc.

Plahotniuc në vitet 2000 njihej si kontabilist dhe llogaritar i familjes Voronin, duke pasur një lidhje të ngushtë miqësie me djalin e tij, Oleg Voronin.

Në vitet që pasuan, Partia Komuniste u shemb. Nga 39.34 për qind të votave që mori në zgjedhjet në nëntor 2010, votat e saj ranë në 3.8 për qind në shkurt 2019.

Që nga ndarja, Voronin e ka sulmuar Dodon në shumë raste, duke refuzuar t’i japë dorën dhe duke e quajtur atë një tradhtar.

“Ne kemi një video në lidhje me tradhtitë e Igor Dodon dhe …mbi… sa u pagua Dodon për këtë votim”, tha një herë Voronin, duke iu referuar zgjedhjes së Timofti si president.

Dodon gjithashtu hodhi fyerje në drejtim të ish-mentorit të tij politik. Në shtator 2014, ai e shiti Voronin si “plak gënjeshtar”.

“Unë kisha dhe kam një respekt të veçantë për të moshuarit. Sot ndoqa një plak gënjeshtar me emrin Voronin, të lodhur dhe të humbur, i cili thotë vetëm shpifje dhe kërcënime. Në të gjithë kaosin që po ndodh në vend, ai ka gjetur dikë që ta sulmojë – socialistët”, deklaroi Dodon.

Tani ai i ka harruar plotësisht fjalëte ashpra që thoshte dikur. Më 25 maj të këtij viti, kur Voronin mbushi 80 vjeç, Dodon e la të hapte listën e përbashkët Komuniste dhe Socialiste për zgjedhjet e 11 korrikut.

“Sot ne festojmë ditëlindjen një personaliteti të shquar të vendit tonë, kreun më efikas të shtetit, reformatorin më autentik të jetës shoqërore, një politikan me një vizion të gjerë patriotik dhe një karakter të çeliktë, Vladimir Voronin”, tha Dodon./Reporter.al