Vjosa Osmani zhvillon bisedë telefonike me homologun nga Turqia

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun nga Turqia, Mustafa Sentop.

Në këtë bisedë është diskutuar për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, në veçanti për bashkëpunimin parlamentar.

Osmani ka falënderuar Turqinë për përkahjen që i ka dhënë Kosovës gjatë pandemisë, duke dhuruar donacione me material mbrojtës në kohën kur Kosova po sfidohet me situatë të rënduar në ballafaqimin me këtë virus.

Ndërkaq, është diskutuar edhe për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.

“Kryetari Şentop theksoi se dialogun e vlerësojnë si çështje të rëndësishme, ndërkaq kryetarja e Kuvendit theksoi se ky proces duhet të përfundojë me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia, në kufijtë aktualë të Kosovës dhe duke respektuar parimin e unitaritetit të shtetit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.