Foto: Vjosa Osmani / facebook

Vjosa Osmani takon kryeministrin e Bullgarisë në detyrë, Galab Donev

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Galab Donev.

Osmani përmes një njoftimi në rrjetin Facebook bëri të ditur se Bullgaria është partnere e palëkundur e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik.

“Takim konstruktiv dhe përmbajtësor me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Galab Donev. Bullgaria është partnere e palëkundur e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë”- ka shkruar Osmani.

Presidentja tutje potencoi se do punojnë për forcim të marrëdhënieve me fokus bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe energjetik.

“Do të punojmë për të hapur kapituj të ri bashkëpunimi, për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me fokus në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar e energjetik dhe përmbushjen e vizionit të përbashkët për paqe, demokraci dhe zhvillim ekonomik”- shtoi më tej Osmani.