Vjosa Osmani - Foto: KALLXO.com

Vjosa Osmani: Jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm

Ushtruesja e detyrës e presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave dhe tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë.

“Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë. Kosova ka dhënë më të shtrenjtit e saj… Ka dhënë fëmijët e saj”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo duke shpalosur krimet e Serbisë në Kosovë gjatë luftës së fundit tha se këto janë të vërtetat prej të cilave nuk duhet të lodhemi asnjëherë.

“Përtej detyrimit politik, si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve është mbi të gjitha obligim njerëzor e human që këtë zë ta ngrisim për viktimat dhe familjet e tyre. Çdo ditë, në çdo vend e para cilësdo palë”, ka shkruar Osmani.

Tutje, ajo ka shkruar se secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë.

Dje në senacën e Kuvendit tema çështjen “trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur” kishte ngjallur shumë diskutime dhe polemika mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së.

Situata u tensionua mes vete deputetëve të këtyre dy subjekteve politike.

Përplasja ka ndodhur derisa në foltoren e Kuvendit të Kosovës fliste deputetja Saranda Bogujevci, ish-e mbijetuar e masakrës nga lufta e fundit.

Gjatë debateve të interpelancës së kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ku diskutohej çështja “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, u tha deputetëve se po bëjnë politikë mbi kufoma.

“Besomëni që po më vjen marre për juve… Për qeverinë e Republikës së Kosovës, për Driton Selmanajn, tema e të pagjeturve nuk do të konsumohet deri sa të gjendet edhe i fundit. Ju që bëni politikë mbi kufoma, mbi të pagjeturit, mbi eshtrat e njerëzve marre ju koftë. Edhe mos ditshim na me ua kthy zoti ka me ua kthy”, kishte thënë  Selmanaj.