(VIDEO) Prizrenasit nuk e respektojnë distancën, grumbullohen në Marash

Qytetarë të shumtë nga Prizreni duket se janë relaksuar pas lehtësimit të masave mbrojtëse nga pandemia COVID-19. Nga kjo pandemi janë shënuar 28 viktima ndërsa janë infektuar 861.

Përkundër rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, që të qëndrojnë brenda dhe të mos dalin e të mos grumbullohen në vende ku ka shumë njerëz, ata sot kanë dalë në Marash duke qëndruar nën rrezet e diellit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përsëri ka apeluar të qytetarët për respektim të masave për mbrojtje nga COVID-19.

Instituti përmes një njoftimi ka ftuar qytetarët për respektimin e distancës sociale për shkak se virusi ende nuk është zhdukur.

Ndërsa, IKSHPK ka kërkuar nga Inspektoratet të angazhohen në masë më të shtuar në ditët në vijim.

“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike. Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19! Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj! Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet në apelin e IKShPK.

Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh për të parandaluar përhapjen e COVID-19 ku hynë edhe organizimet dhe mbledhjet me numër të madh të njerëzve, ndërsa ditët e fundit këto masa kanë filluar të lehtësohen.

Në anën tjetër Komuna e Prizrenit, përvec rekomandimeve, nuk ka marrë ndonjë vendim, i cili do të ndalonte frekuentimin e këtyre vendeve si masë për mos përhapjen e coronavirusit.