Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Vetëm 5 Fakultete të UP-së sanksionuan profesorët për mos mbajtje të ligjëratave

Prej 14 fakulteteve që janë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vetëm 5 fakultete kanë realizuar ndalesa në paga ndaj profesorëve që nuk kanë mbajtur ligjërata gjatë vitit akademik 2020/21.

Sipas informacioneve të dërguara për KALLXO.com nga Universiteti i Prishtinës, Fakultetet të cilat kanë zbatuar ndalesë mujore për orë të parealizuara janë: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti Juridik, Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti Ekonomik.

Këto ndalese mujore janë bërë në periudha të ndryshme, duke filluar nga janari deri në qershor të këtij viti.

Kurse, bazuar në Rregulloren për të ardhura personale, Neni 7, dekani i fakultetit obligohet të zbatoj sanksionet për orët e parealizuara, 50 euro për 1 orë mësimi për profesorë dhe 25 euro për 1 orë mësimi për asistentë.

Në muajin janar ndalesa kanë realizuar Fakulteti Filozofik dhe ai i Arteve. Në Filozofik janë bërë ndalesa mujore për 2 mësimdhënës, kurse në atë të Arteve për 3 mësimdhënës.

Në muajin shkurt ka pasur më shumë Fakultete të UP-së që kanë sanksionuar profesorët për mos mbajtje të orëve. Në Fakultetin Ekonomik janë bërë ndalesa për 3 mësimdhënës, në atë Filozofik për 4 mësimdhënës, në Fakultet të Arteve për 2 mësimdhënës dhe në atë të Mjekësisë për 3 mësimdhënës.

Në muajin prill përsëri ka realizuar ndalesa Fakulteti i Mjekësisë për 1 mësimdhënës dhe të njëjtën e ka bërë Fakulteti Juridik.

Në muajt maj dhe qershor të këtij vitit, Fakulteti i Mjekësisë ka vazhduar t’ua ndalojë 25 deri në 50 euro profesorëve që s’i kanë mbajtur ligjëratat siç e kanë të përcaktuar me kontratë. Në muajin maj janë sanksionuar 6 mësimdhënës, ndërsa në muajin qershor 19 mësimdhënës.

Këto të dhëna janë dërguar nga ana e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe nuk dihet saktë numri se prej të sanksionuarve janë profesorë dhe sa asistentë.

Universiteti i Prishtinës po ashtu ka bërë të ditur se Fakultetet, bazuar në Rregulloren për të ardhura personale, obligohen të raportojnë deri në datën 5 të muajit vijues për orët e realizuara në muajin paraprak, ku mbi bazën e raportimit realizohen edhe pagesat.

“Për më tepër, për mësimin online, orët e realizuara në platformën Google Meet, reflektohen në raportin elektronik, i cili është i publikuar në ueb faqen e universitetit  www.uni-pr.edu, në vegzën Microsoft Power BI . Në këtë raport statistikor mund të verifikohet sa orë online janë realizuar në secilin fakultet në periudha të caktuara të vitit akademik”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

KALLXO.com kishte raportuar në maj të këtij vitit për ndalesat që ia kishte bërë Fakulteti i Mjekësisë, profesorëve dhe asistentëve që nuk mbajtën ligjëratat gjatë vitit akademik 2020/21.

Fakulteti i Mjekësisë sanksionon profesorët e asistentët që nuk i mbajtën ligjëratat online