Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fakulteti i Mjekësisë sanksionon profesorët e asistentët që nuk i mbajtën ligjëratat online

Disa profesorë dhe asistentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk i kanë mbajtur të gjitha ligjëratat të cilat kanë qenë online gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2020-21.

E për mos mbajtjen e këtyre orëve, menaxhmenti i Fakultetit ka marrë masa ndëshkuese financiare apo ndalesa në pagën e tyre.

Sipas disa të dhënave të siguruar nga KALLXO.com, njëri nga ta është profesori në Katedrën e Kirurgjisë, Arsim Morina, i cili ka mbajtur vetëm 15 orë prej 85 sa e obligon kontrata e tij në semestrin dimëror të vitit akademik 2020-21.

Në këto të dhëna theksohet se Morina ka mbajtur vetëm 15 orë në muajin nëntor të vitit 2020, ndërsa nuk ka mbajtur asnjë orë në muajin tetor 2020, dhjetor 2020 si dhe muajin janar të këtij viti.

KALLXO.com ka kontaktuar profesorin, Arsim Morina, i cili nuk e ka pranuar një gjë të tillë, pasi sipas tij, ai nuk do t’i mbajë orët e lëndëve të Kirurgjisë, pasi është neurokirurg.

“Unë po ju tregoj meqenëse ka qenë numri i vogël i orëve nga neurokirurgjia. Unë nuk mund të mbaj ligjërata nga kirurgjia, kur jam neurokirurg, sepse nuk më kompensohen dhe hala s’jam pensionu ligjërisht”, tha Morina për KALLXO.com.

Ai nuk pranoi se nuk ka mbajtur orët e planifikuara, duke shtuar se ka mbajtur orë më shumë.

“Unë vetëm muajin e kaluar i kam pasur 120 orë, vetëm për një muaj, kurse profesori i ka obligative 80 e diçka orë dhe jo që unë kom ma pak, po kam më shumë dhe asnjëherë s’jam kompensu materialisht”, shtoi Morina.

KALLXO.com po ashtu në bazë të dokumenteve të siguruara ka gjetur se janë edhe 16 asistentë dhe 1 profesor tjetër që nuk kanë mbajtur orët siç e parasheh kontrata e tyre.

Sipas burimeve të KALLXO.com për profesorët që si kanë mbajtur orët, ka pasur ndalesa prej 50 eurosh nga paga e tyre, ndërsa asistentët kanë pasur ndalesa prej 25 eurosh.

Kurse, këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu.

Ajo tha se nga të dhënat e raporteve të dorëzuara nga profesorët, 18 mësimdhënës të Fakultetit të Mjekësisë kanë orë të pa mbajtura.

“Bazuar në normën semestrale, të cilën duhet ta përmbushë secili pedagog (për profesor 85 orë ndërsa për asistentë 140 orë/semestër) dhe në bazë të raporteve mujore të dorëzuara nga secili prej tyre (profesor dhe asistent), si dhe bazuar në formularin F1 (që dorëzohet i nënshkruar nga shefi i katedrës në fillim të vitit akademik) është kalkuluar numri i orëve të pambajtura nga secili prej tyre dhe ka rezultuar se 18 prej pedagogëve (2 profesorë dhe 16 asistentë) kanë një numër shumë të madh të orëve të pambajtura”, ka bërë të ditur Manxhuka-Kërliu.

Sipas saj, njëri nga profesorët e Kirurgjisë edhe në këtë semestër vazhdon të mos mbajë ligjërata fare.

“Nga 16 asitentët që kanë pasur një numër të madh të orëve të pambajtura, 13 prej tyre kanë qenë nga katedra e Kirurgjisë”, ka shtuar ajo më tej.

Manxhuka-Kërliu shtoi se gjatë muajit nëntor 2020, nga Rektorati ka ardhur shkresa përmes të cilës i mundësohet secilit pedagog që të kompenzojë orët e humbura gjatë muajit tetor 2020, gjë të cilën sipas saj, nuk e kanë bërë një numër prej tyre.

“Më pas, secili prej të apostrofuarve është ftuar zyrtarisht nga Prodekani për mësim që të deponojë dëshmi me të cilat mund të ndryshohet eventualisht numri i orëve të pambajtura nga ta”, tha ajo.

Dekanja ka konfirmuar për KALLXO.com se menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë ka marrë masa ndëshkuese financiare në pagat e këtyre profesorëve dhe asistentëve.

“Si rrjedhojë e kësaj menaxhmenti i FM-së ka marrë masa ndëshkuese financiare bazuar në rregulloren për të ardhura personale me të cilën obligohet Dekani për këtë çështje”, tha ajo.

Edhe kryetari i Studentëve të Fakultetit të Mjeksësisë, Gzim Abrashi, po ashtu ka bërë të ditur për KALLXO.com se kanë pasur ankesa nga studentët për mos mbajtje të ligjëratave nga disa asistentë dhe profesorë.

“Jo vetëm unë, por e gjithë gjenerata dhe jo vetëm jemi dëshmitarë që profesori Arsim Morina nuk i mbanë ligjëratat. Madje, ne kemi kërkuar që të merren hapa konkret në ketë drejtim nga Dekanati i Mjekësisë. Po ashtu ka pasur humbje të orëve edhe nga disa asistentë, për çka jemi ne dijeni që janë marrë veprimet e  duhura”, tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Universitetit të Prishtinës për këtë çështje, por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë temë duke thënë se procesi mësimor i përket Fakultetit të Mjekësisë.

“Ju informojmë që përgjegjës për procesin mësimor dhe raportimin e orëve janë njësitë akademike. Andaj, ju lusim që pyetjet paraprakisht të i drejtoni tek Fakulteti i Mjekësisë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.