Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vdes profesori universitar Afrim Vokshi

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka njoftuar për vdekjen e profesorit universitar, Afrim Vokshi.

Për prof.dr. Afrim Vokshin rektori Dema ka thënë se paraqet një figurë të akademikut të kompletuar, ndërkaq për studentët ishte një udhërrëfyes e pedagog i shkëlqyer.

Përmes një telegrami, rektori Dema ka ngushëlluar familjen Vokshi, studentët, stafin akademik dhe administrativ të UP-së.

Ky është telegrami i rektorit Marjan Dema:

TELEGRAM NGUSHËLLIMI: REKTORI DEMA NGUSHËLLON FAMILJEN VOKSHI

E respektuara familje Vokshi,

Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin që sot u nda nga jeta prof. dr. Afrim Vokshi.

Vokshi ishte inxhinier i ndërtimtarisë dhe profesor universitar. Që nga viti 1969 u bë pjesë e Universitetit të Prishtinës si ligjërues në Fakultetin Teknik, ku mbrojti edhe disertacionin e doktoratës. Në vitin 1986, profesor Vokshi u zgjodh profesor ordinar, ku shërbeu në mësimdhënie e kërkime shkencore për dekada.

UP shquhet me profesorë shembullorë, e njëri ndër ta ishte edhe profesori i ndjerë, Afrim Vokshi. Ai për kolegët paraqet një figurë të akademikut të kompletuar, ndërkaq për studentët ishte një udhërrëfyes e pedagog i shkëlqyer.

Kontributi i tij për fakultetin ishte krucial, duke bërë që personaliteti i tij të mbahet gjallë përherë, e të lartësohet edhe më shumë në vazhdimësi. Ai ishte pjesëmarrës në shumë kongrese, simpoziume e konferenca, si dhe është autor i shumë punimeve shkencore.

Andaj, me lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, tu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij.

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Vokshin!”.