Lajm i Fundit, Coronavirus

Vdes një person i infektuar me COVID-19 nga Cërrnica e Gjilanit

Ka vdekur një person i infektuar me COVID-19 nga fshati Cërrnicë në Gjilan.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Shëndetësisë pranë kësaj komune Selami Xhemaili.

‘’Po mund të ju konfirmojmë, qëndron ajo se çfarë e ka thënë kryetari Haziri përmes rrjeteve sociale”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Edhe kryetari i kësaj komune Lutfi Haziri ka ngushëlluar familjen e të vdekurit.

“Me keqardhje e mora lajmin për ndarjen nga jeta të A.L. Ngushëllime familjes dhe do t’ju qëndrojmë pranë për ta përballuar. Apeloj qytetarët që t’i përmbahen rregullave në mënyrë strikte për ta parandaluar infeksionin me këtë virus. Ju lutem, mbrojeni veten, familjen, lagjen dhe qytetin tuaj”, ka thënë Haziri.

Brenda katër muajve të përballjes më pandeminë COVID-19, Gjilani ka shënuar 289 raste pozitive, 155 janë shëruar, 128 janë aktive, derisa pesë pacientë kanë ndërruar jetë.