Foto: Nensi Bogdani, BIRN

Vdes një minator në galeritë e kromit në Bulqizë

Një minator mbeti i vdekur të dielën (02.06.2024) në galeritë e kromit në Bulqizë të Shqipërisë, pasi një masiv dheu dhe inertesh e zuri poshtë ndërsa punonte.

Minatori që humbi jetën u identifikua si Zini Murati, 60 vjeç.

Policia njoftoi se në orën 11:30, minatori u dërgua në spital pa shenja jete. Në deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, thuhet se aksidenti ka ndodhur në punë në minierën e Bulqizës. “Grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes”, njoftoi policia.

BIRN mësoi se viktima ishte në punë në një nga minierat e kompanisë “Çupi Grup”, drejtuar nga Arben Çupi, i cili gjithashtu është kryetar i Këshillit Bashkiak në Bulqizë nga radhët e Partisë Socialiste. Çupi tha përmes një mesazhi në WhatsApp se ishte në komunikim me organet përgjegjëse dhe se do të fliste pasi ky proces të përfundonte. “Sapo të mbaroj do t’ju bëj me dije”, tha ai.

Vdekja e minatorit Zini Muratit shënon aksidentin e dytë fatal brenda një periudhe të shkurtër në këtë sektor. Disa ditë më parë, një 29-vjeçar humbi jetën në një galeri kromi në Martanesh, ndërsa një 40-vjeçarë mbeti i plagosur.

Aksidentet e rënda në punë në sektorët e ndërtimit, minierave dhe energjetikës shkaktojnë çdo vit dhjetëra viktima.

Vetëm gjatë muajit maj dhe qershor 6 punëtorë vdiqën, në Lezhë, Tiranë dhe Dibër. Disa të tjerë kanë marrë plagë të rënda.

Aksidentet janë shoqëruar me arrestimin e disa drejtuesve teknikë dhe administratorëve të kompanive, por siç BIRN ka gjetur në disa investigime penalitet ndaj këtyre rasteve mbeten minimale dhe masat e marra nuk sjellin ndryshime sa i përket sigurisë në punë.